Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një i dënuar ka qëndruar në burg më gjatë se afati që duhej të vuante, për shkak të një gabimi në përllogaritjen e kohës së dënimit nga prokurorja Albjona Papajani, e cila në atë periudhë ushtronte detyrën në Prokurorinë e Beratit. Ajo kishte lënë jashtë llogaritjes kohën që i dënuari kishte kaluar në paraburgim në Greqi, duke bërë që ky i fundit të vijonte të qëndronte pas hekurave edhe pse afati ligjor i dënimit kishte përfunduar.
Për këtë shkelje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi këtë të enjte marrjen e masës disiplinore ndaj Papajanit, duke i ulur pagën me 10% për një periudhë gjashtëmujore.
Çështja nisi pas një ankese të paraqitur nga Avokati i Popullit, i cili ngriti shqetësimin për mënyrën se si ishte përllogaritur koha e vuajtjes së dënimit të personit në fjalë. Pas ankesës, rasti u shqyrtua nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili gjatë hetimit konstatoi shkelje në përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e prokurores.

Sipas gjetjeve të ILD-së, Papajani kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që lidhen me ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve. Në përllogaritjen e kohës së vuajtjes së dënimit nuk ishte përfshirë periudha e paraburgimit që personi kishte kryer në Greqi, një element që duhej të merrej parasysh për të përcaktuar kohën reale të mbetur për të vuajtur.
Pasojat e këtij mosveprimi u reflektuan drejtpërdrejt te i dënuari, i cili vazhdoi të qëndronte në qeli përtej afatit që i takonte ligjërisht. Pra, një gabim në përllogaritjen e dënimit i kushtoi lirinë një personi, ndërsa përgjegjësia disiplinore për prokuroren u materializua me një ulje page prej 10% për gjashtë muaj.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë e cilësoi rastin shkelje të rëndë disiplinore, duke argumentuar se neglizhenca kishte cenuar drejtpërdrejt një prej të drejtave themelore të njeriut, atë të lirisë personale. Sipas ILD-së, mosrespektimi i procedurave për llogaritjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale krijon edhe rrezikun që raste të ngjashme të përsëriten me persona të tjerë të dënuar.



