Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Shoqata e Prokurorëve ka kundërshtuar disa nga ndryshimet e propozuara në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, duke paralajmëruar se kufizimet e reja për publikimin e akteve hetimore mund të cenojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për informim.
Në qëndrimin e saj, Shoqata thekson se mbrojtja e sekretit hetimor është e domosdoshme për garantimin e hetimeve, por nënvizon se kufizimet nuk duhet të shtrihen përtej kohës kur ekziston një rrezik konkret për procesin penal.
Një nga pikat më problematike të projektligjit, sipas prokurorëve, është parashikimi që ndalimi i publikimit të akteve të mund të zgjasë deri në një vit pas pushimit të procedimit penal.
Po ashtu, projektligji parashikon që gazetarët dhe mediat që disponojnë dokumente të cilave u zbatohen kufizimet të marrin paraprakisht leje nga gjykata përpara publikimit të tyre.
Shoqata e Prokurorëve vlerëson se, në mungesë të kritereve të qarta dhe një afati të përcaktuar për vendimmarrjen gjyqësore, kjo procedurë mund të vonojë publikimin e informacioneve me interes të rëndësishëm për publikun.
Kundërshtime ka edhe për propozimin që prokuroria të marrë pëlqimin e të pandehurit përpara publikimit të akteve të veçanta, edhe në rastet kur prokurori vlerëson se ekzistojnë arsye për t’i bërë ato publike përmes një vendimi të arsyetuar.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon heqjen e ndalimit të publikimit deri në një vit pas pushimit të procedimit ose, alternativisht, përcaktimin e kritereve të qarta për zbatimin e tij.
Si zgjidhje për rastet kur pushimi i një çështjeje ka interes publik, prokurorët propozojnë publikimin e vendimeve të anonimizuara, duke mbrojtur identitetin e viktimave, të miturve dhe të dhënat e tjera sensitive.
Në qëndrimin e saj, Shoqata kërkon gjithashtu rishikimin e detyrimit për marrjen e lejes paraprake nga gjykata për gazetarët dhe të kufizimeve mbi komunikimin e prokurorisë me publikun.
Sipas prokurorëve, çdo kufizim i së drejtës për informim duhet të lidhet me një rrezik konkret dhe të jetë në fuqi vetëm për aq kohë sa është i nevojshëm për mbrojtjen e hetimit.



