Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhje me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar, gjatë një takimi të zhvilluar sot në Berat.
Në fjalën e tij, kreu i opozitës e cilësoi Shqipërinë si një “narkodiktaturë autoritare”, duke pretenduar se futja e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal në ekonomi ka ndikuar në zhvlerësimin e euros, dëmtimin e eksporteve dhe rritjen e çmimeve për qytetarët.
Berisha argumentoi se hyrja e sasive të mëdha të parave nga aktiviteti i narkotikëve ka ndikuar në kursin e këmbimit, duke zhvlerësuar edhe kursimet në euro të qytetarëve dhe remitancat që emigrantët dërgojnë në Shqipëri.
“Droga është fuqi e së keqes, miqtë e mi, sepse zhvlerësimin me 35 për qind të euros nga vagonat dhe kontejnerët e narkoeurove që futen në Shqipëri, zhvlerësojnë të gjitha remitancat që familjarët dërgojnë në Shqipëri. Kanë zhvlerësuar kursimet në euro me 250 miliardë lekë. Po, ajo rrit çmimet, rrit inflacionin”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te çmimet e produkteve ushqimore, duke krahasuar Shqipërinë me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian. Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Mal të Zi çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë janë në nivelin 60-70 për qind të mesatares së BE-së, ndërsa në Shqipëri arrijnë në 110 për qind.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha përsëriti thirrjen për bashkim të forcave politike opozitare kundër qeverisë Rama. Ai përmendi në mënyrë të veçantë kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, duke deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo forcë politike, pavarësisht dallimeve në platformat dhe qëndrimet e tyre.
“Më pyesnin mua: ‘Edhe me Qorin do të bashkohesh?’ Po, po, me të gjithë. Asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim. Unë nuk do të them ndrysho platformën tënde politike. Mbaje, zotëri, e ke kundër PD-së, mbaje kundër PD-së. Po hajde, njëherë, të heqim këtë të keqe të madhe”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës e paraqiti bashkimin e forcave opozitare si një domosdoshmëri për largimin e qeverisë, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe me aktorë politikë që kanë qëndrime kritike ndaj Partisë Demokratike.



