Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin me 17 muaj burg të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike dhe institucionale në Kosovë.
Thaçi u shpall fajtor për akuzën e pengimit të administrimit të drejtësisë, ndërsa vendimi është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës.
Kryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi vendimin të papranueshëm dhe të turpshëm, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si po administrohet drejtësia në këtë gjykatë.
“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate. Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton”, deklaroi Çitaku.
Reagim pati edhe nga deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili e lidhi vendimin me mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet Kosova nga institucionet evropiane.
“34 vite pas lindjes së Ushtrisë Çlirimtare, më 17 nëntor 2026, në Hagë u dha një tjetër vendim dënues, si pasojë e pengimit të drejtësisë. Në të vërtetë, kjo nuk ka ndodhur, por ky është këndvështrimi evropian për Republikën e Kosovës në administrimin e politikave të saj të brendshme, si një vend i paaftë dhe jo garantues!”, u shpreh Haziri.
Edhe Qeveria e Kosovës reagoi ndaj vendimit, duke rikonfirmuar se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj për Dhomat e Specializuara, ndërsa ngriti shqetësime për transparencën, respektimin e të drejtave të palëve dhe garantimin e një procesi të rregullt gjyqësor.
“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, vlerësoi se aktgjykimi ngre shqetësime për respektimin e të drejtave të palëve në proces.
Në deklaratën e Presidencës theksohet se edhe Dhomat e Specializuara duhet të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht me të drejtat e garantuara në Kapitullin II dhe standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë.
Reagimet kundër vendimit u shoqëruan edhe me një tubim simbolik në Prishtinë. Platforma “Liria ka Emër” organizoi një protestë përpara zyrës së Bashkimit Evropian, ku përmes një pankarte përcolli mesazhin: “Evropë, ku është drejtësia?”.
Kundër vendimit reagoi gjithashtu edhe Klestori, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai e cilësoi procesin si instrumentalizim të drejtësisë për të diskredituar një figurë historike dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson. Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare të kthejnë sytë në atë që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet”, shkroi ai.



