KreuAktualitetKosova17 muaj burg shtesë për Thaçin/ Specialja shpjegon pse nuk i llogaritet...

17 muaj burg shtesë për Thaçin/ Specialja shpjegon pse nuk i llogaritet paraburgimi

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të përfitojë nga koha e kaluar në paraburgim për të shlyer dënimin prej 17 muajsh burgim të shqiptuar ndaj tij për pengim të drejtësisë. Ndryshe nga dy bashkë të dënuarit e tij, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, të cilëve kjo kohë iu llogarit në dënim, për Thaçin gjykata ka vendosur që masa e re të ekzekutohet pas përfundimit të dënimit për krime lufte.

Në një përgjigje për Albanian Post, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar se koha e kaluar nga Thaçi në paraburgim po llogaritet tashmë në kuadër të dënimit prej 25 vitesh burgim, të shqiptuar më 16 shtator në çështjen për krime lufte. Për këtë arsye, ajo nuk mund të llogaritet edhe një herë për dënimin e ri.

“Koha që z. Thaçi ka kaluar në paraburgim tashmë po llogaritet si kohë e vuajtur në kuadër të dënimit të tij të shkallës së parë për krime lufte. Prandaj, kjo kohë nuk mund të llogaritet dy herë edhe për këtë dënim të veçantë, për të cilin gjyqtari ka vendosur që të ekzekutohet pas dënimit të parë”, thuhet në sqarimin e Speciales.

Kështu, dënimi prej 17 muajsh përbën një periudhë shtesë burgimi për ish-presidentin e Kosovës, përtej 25 viteve të dhëna në procesin për krime lufte.

Specialja ka bërë të ditur gjithashtu se kjo mënyrë e ekzekutimit të dënimeve nuk ndryshon nga praktikat e gjykatave dhe tribunaleve të tjera. Megjithatë, Thaçi ka të drejtë të apelojë si aktgjykimin, ashtu edhe dënimin e shqiptuar ndaj tij në të dyja çështjet.

Për çfarë u dënua Thaçi?

Çështja për pengim të drejtësisë lidhet me përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë në procesin gjyqësor për krime lufte. Sipas përfundimeve të gjykatës, gjatë vitit 2023, Thaçi kishte organizuar dhe drejtuar tri grupe për të ndikuar në dëshmitë e personave që pritej të dëshmonin kundër tij.

Udhëzimet, sipas Speciales, përcilleshin përmes personave që e vizitonin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Gjatë këtyre takimeve diskutoheshin dëshmitë dhe mënyra se si personat e thirrur nga Prokuroria duhej të përgjigjeshin para gjykatës.

Një prej rasteve të paraqitura në seancën e së martës lidhej me vizitën e Fadil Fazliut më 2 korrik 2023. Gjatë takimit, Thaçi dhe Fazliu kishin diskutuar për dëshminë e Rrustem Mustafës, të cilin ish-presidenti e kishte konsideruar dëshmitar vendimtar.

Sipas gjykatës, Thaçi i kishte dhënë Fazliut porosi të hollësishme për t’ia përcjellë Mustafës, përfshirë udhëzimin që ai të mos zgjatej në përgjigjet e tij. “Shkurt, shkurt. Mos filozofo”, ishte një prej porosive të përmendura në aktgjykim.

Një tjetër rast kishte të bënte me vizitat e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, në shtator dhe tetor të vitit 2023. Gjatë takimeve, Thaçi kishte diskutuar për dëshminë e Bislim Zyrapit dhe kishte dhënë udhëzime lidhur me mënyrën se si duhej të trajtonte çështje të caktuara, përfshirë organizimin e UÇK-së dhe rolet e komandantëve.

Ndërsa gjatë vizitës së Isni Kilajt, më 6 tetor 2023, sipas aktgjykimit, Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë të Prokurorisë, përfshirë identitetin dhe deklaratat e mëparshme të një dëshmitari të mbrojtur.

Çfarë ndodhi me të bashkakuzuarit?

Përveç Thaçit, gjyqtari Christopher Gosnell dënoi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim, ndërsa ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti.

Smakajt dhe Fazliut iu llogarit koha e kaluar në paraburgim, duke bërë që dënimet e tyre të konsideroheshin të shlyera. Ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykata nuk arriti të vërtetojë disa prej pretendimeve të Prokurorisë për bashkëpunimin mes të akuzuarve dhe ekzistencën e marrëveshjeve për të ndikuar te dëshmitarët. Nuk u provua se Kilaj kishte ndërmarrë hapa për të kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur dhe as përfshirja e Fadil Kryeziut në veprimet e pretenduara.

Po ashtu, nuk u vërtetua ekzistenca e një marrëveshjeje mes Thaçit dhe Hajredin Kuçit për t’u përcjellë udhëzime tre dëshmitarëve të Prokurorisë.

Në përfundim, gjykata e shpalli Thaçin fajtor për pengim të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa nuk arriti të provojë të gjitha akuzat e ngritura ndaj bashkakuzuarve të tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat