KreuAktualitetPolitika10 miliardë eurot e qeverisë kalojnë në Kuvend/ 24 vota kundër nga...

10 miliardë eurot e qeverisë kalojnë në Kuvend/ 24 vota kundër nga opozita

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Pas rreth 14 orësh diskutimesh në Kuvend, mazhoranca socialiste ka arritur të miratojë në parim projektbuxhetin e vitit 2027, duke siguruar më shumë vota sesa numri i nevojshëm për kalimin e tij.

Projektbuxheti, me vlerë rreth 10 miliardë euro, mori mbështetjen e socialistëve dhe të deputetëve të grupimit të Tom Doshit, ndërsa 24 deputetë të opozitës votuan kundër.

Në votim nuk mori pjesë ish-kryetarja e Kuvendit, deputetja socialiste Elisa Spiropali, e cila një ditë më parë kishte qenë e pranishme në seancën plenare.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e mazhorancës mbrojtën projektbuxhetin, duke argumentuar se ai adreson nevojat ekonomike të vendit dhe synon uljen e kostos së jetesës për qytetarët. Socialistët e cilësuan atë si një buxhet që garanton vijimin e rritjes ekonomike dhe mbështetjen e kategorive të ndryshme.

Nga ana tjetër, opozita votoi kundër paketës financiare të qeverisë, duke mos dhënë mbështetjen për projektin që do të përcaktojë shpërndarjen e fondeve publike gjatë vitit të ardhshëm.

Seanca nuk kaloi pa incidente. Pak përpara votimit, salla e Kuvendit u zhyt për disa sekonda në errësirë, pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike. Deputetët e opozitës shfrytëzuan momentin për të protestuar, duke kërkuar në kor dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Përveç projektbuxhetit, Kuvendi miratoi edhe ligjin për strehimin social. Ky projektligj mori 79 vota pro, 25 kundër dhe një abstenim, i regjistruar nga deputetja demokrate Greta Bardeli.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti i vitit 2027 do t’i rikthehet komisioneve parlamentare, ku do të shqyrtohet nen për nen, përpara se të kalojë në fazën përfundimtare të miratimit në Kuvend.

Me këtë votim, qeveria ka siguruar mbështetjen parlamentare për të vijuar procedurat e miratimit të paketës financiare për vitin e ardhshëm, pavarësisht kundërshtimit të opozitës dhe debateve të zhvilluara gjatë seancës maratonë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat