Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtoresha e Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë, Zhaneta Beqiri, ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit nga detyra me urdhër të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke mohuar se largimi i saj lidhet me auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Beqiri, e cila drejtonte institucionin prej më shumë se 11 vitesh, shprehet se shkarkimi ka ardhur për arsye të tjera, që sipas saj nuk lidhen me përmbushjen e detyrave apo punën e kryer në krye të institucionit.
“Sqaroj për të gjithë që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH-së dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!”, shkruan Beqiri.
Ajo rikujton se në gusht të vitit 2015 iu besua drejtimi i institucionit, duke e cilësuar këtë detyrë si një përgjegjësi të veçantë për kujdesin, mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të Tiranës. Pas më shumë se një dekade në këtë pozicion, Beqiri thotë se largohet me mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe krenari për punën e bërë.
Në reagimin e saj, ish-drejtoresha ndalet edhe te përmasat e institucionit, duke bërë të ditur se aktualisht 2.333 punonjës kujdesen për rreth 13 mijë fëmijë në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit.
Beqiri pretendon se gjatë drejtimit të saj ka punuar për ndryshimin e kulturës institucionale dhe përmirësimin e shërbimit ndaj fëmijëve, përmes standardeve të reja, profesionalizmit dhe metodologjive bashkëkohore në edukim.
Ajo falënderon gjithashtu prindërit dhe qytetarët për besimin ndër vite, si dhe punonjësit e institucionit, të cilët i cilëson si forcën kryesore të punës së çerdheve dhe kopshteve.
Në fund të reagimit, Beqiri thekson se funksionet drejtuese janë të përkohshme, ndërsa vlera e punës dhe standardet e vendosura mbeten, duke lënë të kuptohet se e mbyll këtë kapitull pa e lidhur largimin me rezultatet e auditimit të KLSH-së.



