Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare ka ruajtur një performancë të fortë makroekonomike, pavarësisht goditjeve të jashtme, por paralajmëron se tensionet gjeopolitike dhe trazirat e zgjatura sociale mund të ndikojnë negativisht në turizëm, investime dhe besimin e biznesit.
Në deklaratën përmbyllëse të misionit për Shqipërinë për vitin 2026, FMN thekson se rritja ekonomike, ulja e borxhit publik dhe inflacioni i qëndrueshëm kanë forcuar rezervat makroekonomike të vendit.
Sipas institucionit ndërkombëtar, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025 dhe ruajti të njëjtin ritëm edhe në gjysmën e parë të vitit 2026. Rritja është mbështetur kryesisht nga konsumi privat dhe aktiviteti në sektorin e shërbimeve dhe turizmit, ndërsa FMN evidenton gjithashtu rritjen e shpejtë të kredisë dhe çmimeve të pronave.
Raporti nënvizon se papunësia ka zbritur në nivele historikisht të ulëta, ndërsa pagat kanë shënuar rritje të konsiderueshme.
Megjithatë, FMN paralajmëron se kjo ecuri pozitive mund të vihet në rrezik nga zhvillimet e jashtme dhe situata e brendshme politike e sociale. Në deklaratë përmenden shprehimisht protestat dhe tensionet e fundit në vend, të cilat, nëse zgjasin, mund të dëmtojnë besimin, turizmin dhe investimet.
“Dobësimi i mjedisit të jashtëm, shtrëngimi i kushteve financiare globale dhe tensionet e shtuara gjeopolitike mund të rëndojnë mbi turizmin, investimet dhe rritjen ekonomike. Në të njëjtën kohë, tensionet e fundit sociale i janë shtuar pasigurisë së brendshme. Trazirat e zgjatura sociale mund të rëndojnë gjithashtu mbi besimin, turizmin dhe investimet, si dhe të vonojnë axhendën e reformave”, thuhet në deklaratën e FMN-së.
Kritika për paketën fiskale të vitit 2027
Një tjetër çështje ku FMN shpreh rezerva është paketa fiskale e qeverisë për vitin 2027. Edhe pse vlerëson disa masa që synojnë zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e trajtimeve preferenciale, institucioni ndërkombëtar konsideron se disa prej ndërhyrjeve nuk janë të targetuara siç duhet.
Në veçanti, FMN kritikon uljen e përhershme të TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqjen e taksës së qarkullimit, duke i konsideruar këto masa të kushtueshme për buxhetin dhe me përfitime që shkojnë edhe te kategori të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje.
FMN kërkon garanci për pavarësinë e SPAK-ut
Në vlerësimin e saj, FMN ndalet edhe te Reforma në Drejtësi dhe sundimi i ligjit, të cilat i konsideron elemente të rëndësishme për përmirësimin e klimës ekonomike dhe të investimeve.
Megjithatë, institucioni kërkon hapa të mëtejshëm për të garantuar pavarësinë operacionale dhe efektivitetin e SPAK-ut, si dhe forcimin e institucioneve gjyqësore.
“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të ruajtur pavarësinë operacionale dhe efektivitetin e SPAK-ut, të shoqëruara me forcimin e institucioneve gjyqësore, modernizimin e kadastrës dhe forcimin e të drejtave të pronësisë”, thekson FMN.
Rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.2%
Pavarësisht vlerësimit pozitiv për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, parashikimet e FMN-së tregojnë se nga viti 2027 e në vijim rritja ekonomike pritet të shkojë drejt potencialit afatmesëm prej rreth 3.2%.
Kjo shifër është më e ulët se rritja mesatare vjetore prej 4% që Shqipëria regjistroi gjatë periudhës 2022–2025.
Në fund, FMN kërkon që qeveria të përqendrohet më shumë te mbështetja për familjet në nevojë, veçanërisht për strehimin dhe përmirësimin e ndihmës për pensionistët.



