KreuAktualitetKronikëNga gjobëvënia në vitin 2011 te skandali i Postës/ Si u kap...

Nga gjobëvënia në vitin 2011 te skandali i Postës/ Si u kap Fetah Mataj nga drejtësia?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Arrestimi i Fetah Matajt, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, nën dyshimet për gjobëvënie ndaj punonjësve të institucionit, nuk është përballja e tij e parë me drejtësinë. Të dhënat mbi të kaluarën e tij tregojnë se Mataj është proceduar edhe më herët për vepra të ndryshme penale, përfshirë shtrëngimin për dhënien e pasurisë përmes kanosjes.

Në vitin 2011, ai u arrestua pas një denoncimi të bërë nga shtetasi Asllan Dragoj, i cili pretendonte se ishte kërcënuar dhe shtrënguar nga Mataj për t’i dhënë shuma parash. Çështja ishte hetuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, ndërsa në qershor të atij viti u organizua edhe një operacion policor për arrestimin e tij.

Sipas të dhënave të çështjes, Dragoj kishte dhënë shpjegime për mënyrën se si Mataj dyshohej se përdorte kërcënimet me qëllim përfitimin e parave.

Më 17 qershor 2011, Gjykata për Krime të Rënda caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Megjithatë, gjykata e cilësoi të paligjshëm arrestimin e kryer në mesnatën e 15 qershorit.

Mataj e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda dhe, më 8 korrik 2011, kjo gjykatë vendosi t’i hiqte masën e sigurisë, duke e liruar nga qelia. Sipas informacionit të publikuar për këtë çështje, vendimi u shoqërua me pretendime për ndërhyrje nga një funksionar i lartë i Partisë Socialiste në Durrës, i identifikuar me inicialet V.D.

Por precedenti i vitit 2011 nuk ishte i vetmi. Në vitin 2008, Fetah Mataj ishte proceduar dhe arrestuar për akuzat e “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. Ai rezulton gjithashtu të jetë hetuar nga Prokuroria e Gjirokastrës për dyshime mbi grabitjen me armë të emigrantëve në zonën kufitare të këtij qarku.

Skema e gjobëvënies në Postën e Durrësit

Aktualisht, emri i Fetah Matajt është përfshirë në një tjetër çështje penale, këtë herë për atë që dyshohet të jetë një skemë e organizuar për përfitimin e parave nga punonjësit e Postës Shqiptare në Durrës.

Sipas hetimeve, ai dhe bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, dyshohet se u kërkonin punonjësve të filialeve postare në qarkun e Durrësit të paguanin çdo muaj nga 1 milion lekë të vjetra, në formën e një gjobe. Presioni dhe kërcënimet dyshohet se përdoreshin për të siguruar pagesat e kërkuara.

Çështja, ku janë përfshirë edhe tre persona të tjerë, i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në hetim janë ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Fetah Mataj. Për këtë dosje po hetohet edhe deputetja socialiste e Durrësit, Etleva Budini, e cila më herët ka drejtuar Postën Shqiptare në këtë qytet.

Dyshimet e hetuesve janë se skema mund të ketë funksionuar për një periudhë më të gjatë nga sa ishte konstatuar në fazën fillestare të hetimit dhe se veprimet mund të jenë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Dëmi financiar dyshohet se arrin në 3.6 miliardë lekë të vjetra

Në fazat e para të hetimit, vlera e dyshuar e përfitimeve të paligjshme ishte përllogaritur në rreth 700 mijë euro. Por një auditim i dytë financiar ka nxjerrë një shifër shumë më të lartë, duke e çuar dëmin e dyshuar në 3 miliardë e 600 milionë lekë të vjetra.

Hetimet po vijojnë për të zbardhur përmasat e skemës, mënyrën se si janë përvetësuar paratë dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Nga një dosje e vitit 2011 për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, te hetimi aktual për gjobëvënie dhe abuzime me fondet e Postës në Durrës, Fetah Mataj gjendet sërish përballë drejtësisë. Këtë herë, çështja ka marrë përmasa më të gjera, me dyshime për përfshirjen e disa zyrtarëve dhe një deputeteje socialiste.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat