Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Partia Socialiste ka përjashtuar Elisa Spiropalin nga grupi parlamentar, duke e çuar numrin e deputetëve të saj në 81. Vendimi u formalizua në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, ndërsa për miratimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, PS do të duhet të sigurojë 3 votat e Tom Doshit.
Mbledhja u zhvillua në mungesë të kryeministrit Edi Rama, i cili ia delegoi drejtimin Taulant Ballës. Përjashtimi i Spiropalit vjen pas përplasjes me Ramën në Asamblenë e fundit të PS-së, ku në qendër të debatit ishin qëndrimet e saj për Belinda Ballukun.
Në mbledhje, dy deputetë abstenuan, Bledi Çuçi dhe Erion Braçe.
Spiropali, e cila u shkarkua nga posti i ministres së Jashtme në janar të këtij viti, u përplas me drejtimin e PS-së edhe pas largimit nga qeveria. Ajo nuk mbështeti votimin për mbrojtjen e Belinda Ballukut nga kërkesa e SPAK për arrestim dhe më vonë kërkoi që Rama të distancohej nga ish-zëvendëskryeministrja.
Balluku është e pandehur për çështje që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin dhe pastrimin e parave. Përjashtimi i Spiropalit shënon një tjetër zhvillim në përplasjet brenda Partisë Socialiste, ndërsa ndryshon edhe numrat e mazhorancës në Kuvend për votimet që kërkojnë shumicë të cilësuar.



