Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të ri po shoqërohet me vonesa dhe përplasje brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ndërsa afrohet përfundimi i mandatit të drejtuesit aktual, Olsian Çela. Edhe pse gara u hap që në muajin korrik dhe pesë kandidatë paraqitën dokumentet për të konkuruar, Këshilli nuk ka arritur ende të përmbyllë procedurën e vlerësimit dhe renditjes së tyre.
Mandati shtatëvjeçar i Olsian Çelës përfundon më 5 dhjetor 2026, një datë që KLP e ka konfirmuar zyrtarisht në mbledhjen e 5 nëntorit. Pavarësisht se afati i përfundimit të mandatit ishte i njohur prej kohësh, procesi për pasuesin e tij është zvarritur për muaj të tërë, duke u përqendruar në debate për konfliktin e interesit dhe kërkesat për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit.
Gara u hap më 2 korrik 2026, ndërsa kandidatëve iu la një afat 30-ditor për të dorëzuar aplikimet. Në përfundim të procedurës, në konkurim ishin pesë kandidatë, Adnan Xholi, prokuror në SPAK, Fatjona Memçaj, prokurore pranë Eurojust, Rovena Zoto, prokurore në Tiranë, Arta Marku, ish-Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, dhe Ylli Pjetërnikaj, prokuror dhe pedagog pranë Shkollës së Magjistraturës. Ndërkohë, prokurori Kreshnik Ajazi u tërhoq nga gara.
Por, në vend që procesi të vijonte me verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve, KLP u përfshi në një seri përplasjesh të brendshme. Një nga çështjet që ndikoi në bllokimin e procedurës ishte kërkesa e kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka, me pretendimin se ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.
Kërkesa u pasua nga debate dhe kërkesa të tjera për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit. Edhe kandidatja Arta Marku kërkoi përjashtimin e anëtarit Sokol Stojani nga procedura. Situata u ndërlikua më tej nga kërkesat e ndërsjella mes anëtarëve të KLP-së, të cilat ndikuan në kuorumin dhe mundësinë për të marrë vendime.
Përplasjet u reflektuan edhe në funksionimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, i cili ka përgjegjësinë për shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidatëve. Vatë Staka, që drejtonte këtë komision, ishte njëkohësisht objekt i kërkesës për përjashtim nga gara. Kjo situatë krijoi pengesa në vijimin normal të punës.
Më 2 tetor, KLP pranoi kërkesën e Vatë Stakës për përjashtimin e Zeqir Hodës nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt dhe nga procedura e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Megjithatë, vendimi nuk i dha fund ngërçit që kishte përfshirë Këshillin.
Ndërkohë, një tjetër problem lidhet me mosrespektimin e afateve për verifikimin e kandidatëve. Vlerësimi paraprak, që duhej të përfundonte brenda 45 ditëve, nuk u mbyll në kohë. Gjithashtu, dokumentacioni për verifikimin e pasurisë nuk iu përcoll në afatin e parashikuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Shqetësimi për tejkalimin e afateve u ngrit edhe brenda vetë KLP-së. Anëtarja Ledina Riza paralajmëroi se procedura kishte kaluar afatet e përcaktuara, duke kërkuar që dokumentacioni i kandidatëve të dërgohej për verifikim. Vetëm në mbledhjen e 18 shtatorit u ra dakord që deklaratat e pasurisë së pesë kandidatëve t’i përcilleshin ILDKPKI-së.
Zvarritja e procesit solli reagimin edhe të Shoqatës së Prokurorëve, e cila shprehu shqetësimin për bllokimin e procedurës dhe kërkoi që përplasjet për përjashtimin e anëtarëve të mos ktheheshin në një mekanizëm që paralizon punën e Këshillit.
Zvarritja e procesit ngre pikëpyetje për arsyet se përse Këshilli nuk arriti të përmbyllte procedurën në kohë, duke pasur parasysh se data e përfundimit të mandatit të Çelës ishte e njohur që prej fillimit të procesit. Përplasjet për konfliktin e interesit dhe kërkesat e njëpasnjëshme për përjashtim kanë marrë një pjesë të konsiderueshme të kohës, ndërsa vlerësimi i kandidatëve ka mbetur në plan të dytë.
Përtej vonesave administrative, kjo garë ka rëndësi të veçantë për mënyrën se si do të drejtohet Prokuroria e Përgjithshme për shtatë vitet e ardhshme. Sipas Kushtetutës, KLP duhet të përzgjedhë dhe rendisë tre kandidatët më të kualifikuar, të cilët i paraqiten Kuvendit për votim. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tri të pestat e votave të të gjithë deputetëve.
Megjithatë, Kushtetuta parashikon edhe një mekanizëm automatik, nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një prej kandidatëve brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga KLP konsiderohet i emëruar.
Ky mekanizëm e bën veçanërisht të rëndësishme renditjen që do të bëjë Këshilli, pasi emri që do të vendoset në krye të listës mund të marrë drejtimin e institucionit edhe pa një votim përfundimtar në Kuvend.
Fakti që procesi është bllokuar për muaj të tërë, ndërsa afati i përfundimit të mandatit të Çelës po afron, shton pikëpyetjet mbi përgjegjësinë e anëtarëve të KLP-së dhe pasojat që kjo vonesë mund të ketë në përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Përgjithshme.



