Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Oerd Bylykbashi ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke paralajmëruar largimin nga funksionet drejtuese si pjesë e nevojës për ripërtëritjen e partisë.
Lajmin e bëri të ditur gjatë “Foltores” së zhvilluar në Durrës, ku deklaroi se dorëheqjen nga detyra e kishte dhënë një javë më parë. Bylykbashi e cilësoi këtë vendim si një mënyrë për t’i hapur rrugë ndryshimeve brenda PD-së, ndërsa shprehu urimet për pasardhësin e tij.
“Në këtë fjalë sot dëshiroj t’ju falënderoj, sepse kjo është hera e fundit që ju drejtohem si drejtues politik i qarkut Durrës. Një javë më parë kam dorëzuar detyrën. Mendoj që vetëm në këtë mënyrë çohet përpara ripërtëritja”, deklaroi Bylykbashi.
Ai theksoi se do të vijojë të jetë pjesë e Partisë Demokratike dhe e betejës politike, por pa mbajtur më një funksion drejtues.
“Kushdo që ta marrë detyrën, i uroj ta çojë përpara PD-në drejt fitores”, u shpreh ai.
Bylykbashi e mbylli fjalën me një mesazh për angazhimin e tij të mëtejshëm në opozitë, duke deklaruar se largimi nga drejtimi nuk do të thotë tërheqje nga beteja politike.
“Kush largohet nga beteja është tradhtar, por kush largohet si unë, është aty për të luftuar si ushtar i thjeshtë”, tha ai.



