Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Sistemin Unik të Gjobave, përmes të cilit synohet që të gjitha masat administrative të vendosura nga institucionet shtetërore të regjistrohen në një platformë të përbashkët digjitale dhe të njoftohen automatikisht qytetarët përmes e-Albania.
Gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve publike, Rama deklaroi se me sistemin e ri do të marrë fund praktika e vendosjes së gjobave në fletë letre, ndërsa çdo qytetar do të mund të kontrollojë masat administrative të vendosura ndaj tij përmes llogarisë personale në e-Albania.
Sipas kryeministrit, sistemi do të mundësojë jo vetëm njoftimin e menjëhershëm për gjobat, por edhe pagesën dhe apelimin e tyre drejtpërdrejt nga telefoni.
Të gjitha masat administrative do të regjistrohen në një bazë të dhënash të përbashkët, ku do të ndahen sipas statusit: gjoba aktive, të paguara apo të apeluara. Gjithashtu, çdo gjobë do të ketë një numër unik, bazë ligjore dhe identifikimin e punonjësit që e ka vendosur.
Një tjetër ndryshim i paralajmëruar nga Rama lidhet me pajisjen e punonjësve të Policisë dhe inspektorëve në terren me kamera trupore. Sipas tij, kamerat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe do të integrohen me sistemin e Inteligjencës Artificiale në qendrën e monitorimit.
Përmes këtij mekanizmi, qeveria synon të monitorojë në kohë reale veprimtarinë e punonjësve në terren, përfshirë mënyrën e komunikimit dhe sjelljen e tyre ndaj qytetarëve.
Rama tha se kamerat do të shërbejnë edhe për të ndjekur lëvizjet e punonjësve, përdorimin e karburantit dhe qëndrimin aktiv apo pasiv gjatë orarit të punës.
Kryeministri kërkoi nga drejtuesit e institucioneve që sistemi i ri të vihet në zbatim sa më shpejt, duke mos lejuar vonesa për shkak të mungesës së pajisjeve apo problemeve teknike. Ai ngarkoi Inspektoratin e Përgjithshëm dhe Policinë e Shtetit me ndjekjen e procesit të zbatimit.
Ndërkohë, hapi i radhës i paralajmëruar është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjobave, i cili synon të përmbledhë në një sistem të vetëm të gjitha masat administrative të vendosura nga institucionet publike.



