KreuDrejtësia“Si manekinë në gjyq”/ Haxhia sulmon GJKKO-në: Avokatët kontrollohen deri te çorapet

“Si manekinë në gjyq”/ Haxhia sulmon GJKKO-në: Avokatët kontrollohen deri te çorapet

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, ka kundërshtuar ashpër rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), të miratuar nga kryetari Erion Bani, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe duke akuzuar institucionin se ka shpërfillur kërkesat e avokatëve.

Në një intervistë për Report Tv, Haxhia deklaroi se bojkoti i avokatëve nuk lidhet me interesa personale apo privilegje të profesionit, por me të drejtat e qytetarëve që ata përfaqësojnë në proceset gjyqësore.

Sipas tij, rregullorja e re ndërhyn në kompetencat që Kodi i Procedurës Penale ia njeh drejtuesit të seancës për garantimin e rendit dhe solemnitetit në sallën e gjyqit. Haxhia argumentoi se për çështjet e sjelljes gjatë seancave ekzistojnë mekanizma ligjorë dhe disiplinorë, ndaj nuk kishte arsye për vendosjen e kufizimeve të reja në këtë formë.

Ai tha se Dhoma e Avokatisë kishte kërkuar disa herë dialog me drejtuesit e GJKKO-së për të gjetur një zgjidhje, por sipas tij, të gjitha përpjekjet ishin refuzuar.

Haxhia solli në vëmendje edhe rastet e mëparshme kur avokatët kanë bojkotuar proceset gjyqësore, përfshirë vrasjen e avokatëve, vrasjen e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit dhe kundërshtimin e hartës së re gjyqësore.

“Ne do të shkonim atje të ishim si manekin, formalisht për të thënë që proceset gjyqësore në Shqipëri bëhen me avokatë. Dhe nuk pyeten avokatët. Atëherë pse duhet të shkojmë ne në një proces të tillë kur nuk pyetemi?”, deklaroi Haxhia.

Haxhia: Avokatët kontrollohen deri te çorapet, prokurorët jo

Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i Dhomës së Avokatisë lidhet me trajtimin që, sipas tij, u bëhet avokatëve në ambientet e GJKKO-së, duke e cilësuar atë si diskriminues në raport me prokurorët.

Haxhia tha se avokatët i nënshtrohen kontrolleve fizike deri te çorapet, ndërsa prokurorët nuk përballen me të njëjtën procedurë.

Sipas tij, kjo situatë cenon dinjitetin e profesionit dhe krijon pabarazi mes palëve në një proces penal, ku mbrojtja dhe akuza duhet të kenë të drejta procedurale të barabarta.

Ai theksoi se në të njëjtën godinë ndodhet edhe Apeli i GJKKO-së, ku sipas tij nuk zbatohen të njëjtat praktika kontrolli.

Gjobat për avokatët, Haxhia: Do t’i paguajë Dhoma, por nëse ndërhyn Kushtetuesja bien

Sa i përket gjobave të vendosura ndaj avokatëve që nuk janë paraqitur në seancat gjyqësore gjatë bojkotit, Haxhia bëri të ditur se ato do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.

Megjithatë, ai kundërshtoi ligjshmërinë e tyre dhe paralajmëroi se, nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon rregulloren e re, sipas tij, do të humbasë bazën edhe vendosja e gjobave.

Haxhia kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, po përdoret autoriteti institucional në GJKKO, duke e cilësuar situatën si një përdorim të gabuar të pushtetit.

Kritika edhe për kufizimet ndaj medias

Në intervistë, kreu i Dhomës së Avokatisë ngriti shqetësime edhe për kufizimet që rregullorja e re vendos ndaj mediave gjatë proceseve gjyqësore.

Ai kundërshtoi mbylljen e dyerve për gazetarët, duke argumentuar se transparenca është një nga parimet themelore të drejtësisë dhe se seancat gjyqësore duhet të jenë publike, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga ligji.

Sipas Haxhisë, në një kohë kur në shumë vende po synohet rritja e transparencës së gjykatave, kufizimi i aksesit të medias përbën një hap në drejtimin e kundërt.

Në mbështetje të argumenteve të tij, ai përmendi edhe takimin me ish-presidentin Ilir Meta në ambientet e paraburgimit të GJKKO-së, ku tha se kishte takuar rreth 40 të pandehur që i kishin shprehur shqetësimet për trajtimin e tyre në raport me akuzën.

Haxhia pretendoi se të pandehurit ndiheshin të trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe se pikërisht garantimi i një mbrojtjeje efektive ishte një nga arsyet kryesore të kundërshtimit të rregullores.

Përplasja mes Dhomës së Avokatisë dhe Gjykatës së Posaçme vijon të mbetet e hapur, ndërsa qëndrimi i Haxhisë është se pa dialog dhe respektim të të drejtave procedurale, funksionimi normal i proceseve gjyqësore nuk mund të garantohet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat