Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”, Gjykata e Posaçme ka vendosur që dëshmitari Isa Tare t’i nënshtrohet një ekspertize mjekoligjore për të përcaktuar nëse gjendja e tij shëndetësore e lejon të dëshmojë në gjykatë.
Vendimi vjen pas pretendimeve të familjarëve, të cilët kanë deklaruar se Tare vuan nga demenca dhe nuk është në gjendje të paraqitet për të dhënë dëshminë. Për këtë qëllim, gjykata ka caktuar dy ekspertë psikiatriko-ligjorë, të cilët do të vlerësojnë gjendjen e tij dhe aftësinë për të dëshmuar.
Në të njëjtën seancë është diskutuar edhe mungesa e dëshmitarit Paro Laçi, i cili përmes një shkrese drejtuar gjykatës ka njoftuar se nuk mund të paraqitet, pasi ka kërkuar azil politik në Zvicër.
Laçi ka kërkuar që për çdo çështje që lidhet me të, gjykata të komunikojë me avokatin e tij, Idajet Beqiri.
Për shkak të pamundësisë së paraqitjes së tij në Shqipëri, trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri, ka kërkuar që deklarimet e Paro Laçit të merren përmes autoriteteve zvicerane.
Në dosjen “Partizani”, ku i pandehur është edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjykata do të presë përfundimin e ekspertizës mjekoligjore për Isa Taren, për të përcaktuar nëse ai mund të japë dëshminë e tij në proces.



