Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Familjet që konsumojnë më shumë se 18 metër kub ujë në muaj rrezikojnë të paguajnë tarifa më të larta për sasinë që tejkalon këtë kufi. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar mekanizmin e fashave të mbikonsumit, i cili parashikon rritjen e çmimit deri në katërfish për konsumin mbi 30 metër kub në muaj.
Skema e re përcakton tre nivele faturimi për familjet, ndërsa do të zbatohet vetëm për abonentët që kanë të instaluar matës uji. Megjithatë, rritja e tarifave nuk do të jetë automatike për të gjitha qytetet, pasi secila shoqëri ujësjellës-kanalizime duhet të paraqesë kërkesë dhe të marrë miratimin përkatës nga Enti Rregullator.
Sipas mekanizmit të miratuar, konsumi deri në 18 metër kub në muaj do të faturohet me tarifën bazë në fuqi. Për sasinë nga 18 deri në 30 metër kub, çmimi për metër kub mund të shumëzohet me një koeficient nga 1 deri në 3, ndërsa për konsumin mbi 30 metër kub koeficienti mund të shkojë nga 1.5 deri në 4.
Kjo do të thotë se një familje që konsumon 35 metër kub ujë në muaj nuk do të paguajë tarifë të shumëfishuar për të gjithë sasinë. Faturimi do të ndahet sipas fashave: 18 metër kub me çmimin bazë, 12 metër kub me koeficientin e fashës së dytë dhe 5 metër kub me koeficientin e fashës së tretë.
Bizneset dhe institucionet publike me kufij të tjerë konsumi
Mekanizmi i ri parashikon rregulla të ndryshme për institucionet publike dhe bizneset. Në këto raste, konsumi bazë nuk do të jetë një sasi fikse, por do të llogaritet mbi bazën e mesatares mujore të konsumit gjatë vitit të fundit.
Fasha e dytë do të përfshijë sasinë që tejkalon këtë mesatare deri në trefishin e saj, ndërsa fasha e tretë do të zbatohet për konsumin mbi trefishin e mesatares mujore.
Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do të kenë mundësi të propozojnë koeficientët e rritjes së tarifave gjatë aplikimit për tarifa të reja ose përmes një kërkese të veçantë.
Për të marrë miratimin, ato duhet të paraqesin të dhëna mbi konsumin, kapacitetet e furnizimit me ujë dhe mënyrën se si do të përdoren të ardhurat shtesë që mund të sigurohen nga aplikimi i fashave të mbikonsumit.
Durrësi, Vlora dhe Saranda, ende pa tarifa të përcaktuara për sezonin veror
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe qyteteve bregdetare, ku konsumi i ujit rritet ndjeshëm gjatë muajve të verës për shkak të fluksit të turistëve.
Për Durrësin, Vlorën dhe Sarandën, ku më herët ishte propozuar një mekanizëm sezonal për menaxhimin e kërkesës, koeficientët konkretë dhe periudha e zbatimit nuk janë përcaktuar ende. Ato do të miratohen përmes vendimeve të veçanta për secilën shoqëri ujësjellës-kanalizime.
Pra, vendimi i Entit Rregullator krijon mundësinë që konsumi i lartë i ujit të tarifohet më shtrenjtë, por fatura që do të paguajnë qytetarët do të varet nga koeficientët që propozon dhe miraton secila shoqëri e ujësjellësit. Për familjet, kufiri bazë mbetet 18 metër kub në muaj, ndërsa tejkalimi i tij mund të sjellë kosto të konsiderueshme shtesë.



