Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, ka kërkuar nga prokurorët, gjyqtarët dhe hetuesit e SPAK që të hetojnë korrupsionin, manipulimin e tenderëve dhe rrjetet e krimit të organizuar, duke theksuar se drejtësia duhet të mbështetet te provat dhe zbatimi i barabartë i ligjit.
Në takimin e zhvilluar më 25 nëntor në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku morën pjesë kreu i SPAK, Klodian Braho, drejtori i BKH-së, Joni Keta, prokurorë, gjyqtarë dhe hetues, Wendt vuri theksin te rëndësia e provave digjitale në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Diplomati amerikan deklaroi se kompanitë amerikane janë të interesuara të investojnë në Shqipëri, por kusht për këtë është garantimi i kontratave, konkurrencës së ndershme në tenderë dhe një sistemi drejtësie që zbaton ligjin njësoj për të gjithë.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht”, u shpreh Wendt.
Ambasadori paralajmëroi se korrupsioni në prokurimet publike dhe manipulimi i tenderëve dëmtojnë klimën e biznesit dhe largojnë investitorët e huaj. Sipas tij, kur një tender manipulohet ose praktikat e biznesit janë korruptive, kompanitë amerikane tërhiqen, duke sjellë humbje të vendeve të punës dhe frenim të rritjes ekonomike.
Krimi i organizuar dhe gjurmët digjitale
Wendt u ndal edhe te lufta kundër rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës, duke theksuar se organizatat që trafikojnë kokainë drejt Europës janë të lidhura me kartele që veprojnë edhe në Amerikën e Jugut dhe që, sipas tij, shkaktojnë pasoja të rënda në komunitetet amerikane.
Ai vlerësoi sekuestrimin e ngarkesave të drogës, bllokimin e llogarive bankare dhe arrestimin e drejtuesve të organizatave kriminale, duke i cilësuar këto veprime si goditje ndaj financave dhe fuqisë së karteleve.
Diplomati amerikan theksoi se paratë kriminale lëvizin përmes bankave, platformave të kriptomonedhave dhe kompanive guaskë, ndërsa komunikimet e trafikantëve dhe zyrtarëve të korruptuar zhvillohen përmes aplikacioneve të enkriptuara.
Për këtë arsye, sipas tij, hetuesit dhe prokurorët duhet të jenë të aftë të gjurmojnë provat digjitale edhe përtej kufijve, përfshirë të dhënat që ruhen në serverët e kompanive amerikane.
Wendt paralajmëroi se të dhënat elektronike mund të zhduken brenda pak ditësh, ndaj kërkesat për ruajtjen e provave duhet të bëhen në kohë, për të mos rrezikuar hetimet dhe proceset gjyqësore.
Gjatë takimit, ekspertë të Departamentit amerikan të Drejtësisë kanë zhvilluar gjithashtu trajnim për mënyrën e sigurimit dhe kërkimit të të dhënave digjitale, përfshirë email-et, llogaritë në rrjetet sociale dhe hapësirat e ruajtjes online.
Në përfundim të fjalës së tij, ambasadori amerikan u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që vendimet t’i bazojnë vetëm te provat dhe ligji, pa marrë parasysh pozicionin, lidhjet apo rëndësinë e personave që janë nën hetim.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, ishte mesazhi i Wendt për prokurorët, hetuesit dhe gjyqtarët shqiptarë.



