Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Qeveria ka miratuar këtë të premte një akt normativ që parashikon kompensimin e qytetarëve dhe bizneseve për dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave, si pasojë e akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës.
Sipas skemës së miratuar, shteti do të marrë përsipër dëmshpërblimin e pronarëve të prekur, edhe në rastet kur personat që kanë shkaktuar dëmet nuk janë identifikuar. Megjithatë, shumat e paguara nga buxheti nuk do të mbeten përfundimisht barrë e shtetit, pasi do të nisë procedura për rikuperimin e tyre nga personat përgjegjës.
Akti normativ “Për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve” synon të garantojë kompensimin e qytetarëve dhe bizneseve, por njëkohësisht të sigurojë që faturën financiare të dëmtimeve ta paguajnë ata që i kanë shkaktuar.
Në këtë proces, një rol të rëndësishëm do të ketë Avokatura e Shtetit, e cila do të ndjekë procedurat për rikthimin e shumave të kompensuara. Fillimisht, përgjegjësve do t’u kërkohet shlyerja vullnetare e detyrimit, ndërsa në rast refuzimi, shteti mund t’i drejtohet gjykatës për të siguruar rikuperimin e parave.
Përgjegjësia financiare mund të shtrihet edhe te organizatorët dhe drejtuesit e tubimeve, të cilët mund të detyrohen të paguajnë për dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Ata mund të përjashtohen nga ky detyrim nëse provojnë se dhuna nuk është nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi ta parandalojnë atë.
Një tjetër parashikim i aktit normativ është shlyerja e detyrimeve përmes punës në interes publik, mundësi kjo që do të zbatohet vetëm në rast se personi përgjegjës jep pëlqimin e tij të lirë.
Qeveria argumenton se mekanizmi i ri nuk synon të kufizojë protestat paqësore, por të vendosë një sistem përgjegjësie për dëmtimet e pronës dhe aktet e dhunës gjatë tubimeve, duke garantuar që qytetarët dhe bizneset e dëmtuara të mos mbeten pa kompensim.



