Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë deklaratat dhe qëndrimet e Elisa Spiropalit, pas përplasjes mes tyre, duke u shprehur se ish-bashkëpunëtorja e tij tashmë është e lirë të ndjekë rrugën e saj në politikë.
Gjatë një interviste në podcastin “Rishtazi”, me një gazetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Rama shmangu fillimisht përgjigjen për zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste, duke argumentuar se nuk dëshiron të diskutojë çështje të politikës së brendshme shqiptare në mediat e një shteti tjetër.
Megjithatë, pas këmbënguljes së gazetarit, i cili i kujtoi se audienca e tij i ndjek zhvillimet politike në Shqipëri, Rama u shpreh se Spiropali nuk është më e detyruar të ndjekë atë dhe Partinë Socialiste.
“Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”, deklaroi kryeministri.
I pyetur nëse deklaratat e Spiropalit mund të krijojnë kundërshti me qëndrimet dhe masat që ai vetë ka prezantuar, Rama u përgjigj se debatet dhe kundërshtitë nuk mund të dëmtojnë të vërtetën apo faktet.
“Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet”, u shpreh ai.
Në fund, kryeministri i krahasoi kundërshtitë me erërat që forcojnë një pemë, duke shtuar se ato mund të shërbejnë edhe si arsye për të kuptuar se ku qëndron problemi.



