Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria e sheh vitin 2027 si një moment vendimtar në procesin e integrimit europian, duke theksuar se qeveria do të përmbushë të gjitha detyrimet e kërkuara për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos, Rama u shpreh se vendi nuk kërkon favore apo rrugë të shkurtër drejt BE-së, por vetëm mundësinë për të përmbushur detyrat e tij.
Kreu i qeverisë tha se reformat nuk bëhen thjesht për të përmbushur kërkesat e Brukselit, por janë të domosdoshme për të ardhmen e vendit dhe modernizimin e institucioneve.
“Ne kemi një qartësi të plotë për vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne, çdo vit është viti i Shqipërisë dhe nuk ka si të jetë viti i dikujt tjetër”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se qeveria nuk do të lërë asnjë detyrim pa përmbushur, duke nënvizuar se procesi i integrimit duhet të shërbejë edhe për konsolidimin e institucioneve dhe përfundimin e shtetbërjes europiane.
“Detyrat që kemi në funksion të anëtarësimit në BE janë njëkohësisht në funksion të modernizimit të Shqipërisë, përmbylljes së shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të institucioneve. Diferencën e bëjnë institucionet”, u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se Shqipëria nuk kërkon trajtim të privilegjuar nga Bashkimi Europian.
“Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t’i përmbushim ato në maksimum”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri iu drejtua me humor komisioneres Marta Kos si “zysha që kam në krah”, ndërsa e falënderoi për mbështetjen që ajo dhe ekipi i saj i kanë dhënë Shqipërisë dhe rajonit.



