KreuDrejtësiaZyrtarë, biznesmenë, qytetarë/ A po zbatohet i njëjti standard nga gjykatat?

Zyrtarë, biznesmenë, qytetarë/ A po zbatohet i njëjti standard nga gjykatat?

Një vendim gjyqësor për ndryshimin e masës së sigurisë mund të duket në pamje të parë thjesht si një procedurë normale. Por kur në qendër janë ish-zyrtarë, biznesmenë apo persona me një profil publik, çdo vendim i tillë ngre një pyetje që prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te drejtësia:

A zbatohet i njëjti standard për të gjithë?

Pyetja nuk është nëse një person është i pasur, zyrtar apo qytetar i zakonshëm. Ligjërisht, masa e sigurisë duhet të përcaktohet nga nevoja konkrete e procedimit, rreziku i largimit, mundësia e prishjes së provave apo përsëritjes së veprës dhe rrethana të tjera të individualizuara.

Madje, Gjykata e Lartë ka vendosur së fundmi një standard të qartë. “Arresti në burg” është masë përjashtimore dhe nuk mund të justifikohet vetëm nga rëndësia e veprës apo dënimi i parashikuar. Prokuroria duhet të argumentojë nevojën konkrete për këtë masë, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë realisht alternativat më të buta.

Por a po zbatohet ky standard në të njëjtën mënyrë në çdo sallë gjyqi?

Rasti i dy ish-zyrtarëve të ARRSH-së

Një rast konkret është ai i Gentian Gyli dhe Erald Elezi, dy ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të akuzuar për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, në bashkëpunim.

Për ta, GJKKO ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur” dhe ndalim të daljes jashtë vendit, pas kërkesës së mbrojtjes dhe për shkak të tejkalimit të afateve.

Ky vendim është një shembull konkret se si një masë sigurie mund të zbutet gjatë një procedimi.

Një tjetër rast, zyrtarët e hetuar për tendera

Në një tjetër dosje të GJKKO-së, lidhur me procedura prokurimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, gjykata ka lënë në fuqi “detyrimin për t’u paraqitur” për disa prej personave nën hetim, ndërsa për persona të tjerë ka vijuar “arresti në burg”.

Pra, edhe brenda së njëjtës dosje, personat mund të përballen me masa të ndryshme.

Kjo tregon një element të rëndësishëm. Masa e sigurisë nuk duhet të përcaktohet thjesht nga emri i veprës penale, por nga pozita konkrete e secilit person në procedim dhe rreziqet që gjykata vlerëson se ekzistojnë.

Po qytetari i zakonshëm?

Këtu krahasimi bëhet më interesant. Në shkurt 2026, Gjykata e Lartë shqyrtoi një mosmarrëveshje kompetence që lidhej me kërkesën e Prokurorisë për ndryshimin e masave të sigurisë ndaj Albano Lekës dhe Argjir Çukos.

Të dy ishin nën hetim për akuza që përfshinin mashtrimin në bashkëpunim me pasojë të rëndë, fshehjen e të ardhurave, falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Sipas informacionit të Gjykatës së Lartë, ndaj tyre ishte caktuar fillimisht “detyrim për t’u paraqitur” dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, ndërsa Prokuroria kërkonte zëvendësimin e këtyre masave me “arrest në burg”.

Edhe ky rast tregon se masa e sigurisë mund të ndryshojë gjatë procesit, por jo pa një kërkesë dhe vlerësim konkret gjyqësor.

Pikërisht për të shmangur vendimmarrjen automatike, Gjykata e Lartë ka ndërhyrë këtë vit në praktikën për masat e sigurimit.

Me datë 4 maj 2026, Gjykata përcaktoi se “arresti në burg” ka karakter përjashtimor dhe nuk mund të justifikohet vetëm nga natyra apo rëndësia e veprës penale dhe as nga dënimi i parashikuar.

Gjykatat duhet të bëjnë një vlerësim konkret të personit dhe rrethanave të çështjes, si dhe të shqyrtojnë realisht masat alternative më pak kufizuese.

Sipas standardit të ri, gjykata duhet të shpjegojë konkretisht pse një masë më e butë nuk është e mjaftueshme. Nuk mjafton të thuhet se vepra është e rëndë apo se parashikohet një dënim i lartë.

Duhet të analizohet personi konkret, rrethanat konkrete dhe rreziku konkret. Ky standard është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarin, sepse në fund të fundit masa e sigurisë prek lirinë personale përpara se të ketë një vendim përfundimtar për fajësinë./ E Vërteta.al

Kur mund të jepet masa “arrest në burg”/ Gjykata e Lartë përcakton kufijtë

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat