back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 4 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaKur mund të jepet masa “arrest në burg”/ Gjykata e Lartë përcakton...

Kur mund të jepet masa “arrest në burg”/ Gjykata e Lartë përcakton kufijtë

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur të ndryshojnë pjesërisht praktikën unifikuese të ndjekur deri më tani nga gjykatat shqiptare për caktimin e masave të sigurisë personale, duke vendosur standarde më të detajuara mbi mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”.

Në thelb të vendimit qëndron detyrimi i gjykatave për të analizuar realisht alternativat më të buta ndaj heqjes së lirisë dhe për të argumentuar në mënyrë të qartë pse këto masa nuk janë të përshtatshme në një rast konkret.

Vendimi u relatuan nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili theksoi se praktika e mëparshme, sipas së cilës mjaftonte një arsyetim formal për zgjedhjen e masës “arrest në burg”, nuk është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe standardet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Arresti në burg si masë përjashtimore

Në vendimin unifikues, Kolegjet e Bashkuara saktësojnë se masa “arrest në burg” duhet të trajtohet si një masë përjashtimore, e cila mund të vendoset vetëm kur masat e tjera më pak kufizuese të lirisë vlerësohen si të pamjaftueshme.

Gjykata thekson se nuk mjafton referimi i përgjithshëm te natyra e veprës penale apo te masa e dënimit të parashikuar, por kërkohet një analizë konkrete e rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave të saj, si dhe personalitetit dhe sjelljes së personit ndaj të cilit caktohet masa.

Detyrimi për analizë reale të masave alternative

Një nga elementët kryesorë të vendimit është detyrimi i gjykatës për të shqyrtuar në mënyrë reale masat alternative, si arresti në shtëpi, garancia pasurore apo detyrimi për paraqitje, dhe për të shpjeguar shprehimisht pse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret.

Sipas vendimit, arsyetimi duhet të jetë i individualizuar dhe i bazuar në fakte konkrete, duke shmangur formulimet standarde apo të përgjithshme.

Barra e provës mbi prokurorinë

Një tjetër pikë e rëndësishme e vendimit lidhet me barrën e justifikimit të masës së sigurisë. Kolegjet e Bashkuara theksojnë se është detyrë e prokurorisë të provojë nevojën për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg”.

Gjykata, nga ana e saj, ka detyrimin të verifikojë dhe të arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procesit, pavarësisht nëse i pandehuri paraqet apo jo prova në mbrojtje të tij.

Standard i ri për praktikën gjyqësore

Vendimi vlerësohet si me rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor, pasi synon të rrisë standardin e arsyetimit gjyqësor dhe të forcojë mbrojtjen e lirisë personale, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kolegjet e Bashkuara theksojnë se kjo qasje rrit njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër proporcionalitetin dhe kontrollin real gjyqësor ndaj masave që kufizojnë lirinë.

Në çështjen konkrete që u shqyrtua, Gjykata la në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke rrëzuar rekursin e prokurorisë.

Vendimi i plotë i arsyetuar pritet të publikohet brenda afatit ligjor dhe më pas të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat