Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për Inteligjencën Artificiale”, i cili synon krijimin e kuadrit të parë të plotë ligjor për zhvillimin, tregtimin dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në vend. Drafti parashikon që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të marrë rolin e autoritetit koordinues për inteligjencën artificiale në Shqipëri.
Sipas nenit 3 të projektligjit, AKSHI përcaktohet si “autoritet koordinues/Strukturë për IA-në”, me përgjegjësi për zbatimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të inteligjencës artificiale dhe modeleve të IA-së me qëllim të përgjithshëm.
Projektligji, i cili sipas qeverisë është përafruar plotësisht me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2024/1689 (AI Act), vendos gjithashtu një arkitekturë të re institucionale, ku AKSHI do të bashkëpunojë me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, autoritetet e mbikëqyrjes së tregut dhe institucione të tjera që mund të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Ligji prek edhe ofruesit e huaj
Fusha e zbatimit të draftit shtrihet përtej kompanive të vendosura në Shqipëri. Sipas projektligjit, detyrimet do të vlejnë edhe për ofruesit që operojnë jashtë vendit, në rastet kur rezultatet e sistemeve të tyre përdoren në territorin shqiptar.
Drafti vendos gjithashtu kufizime dhe ndalime për disa praktika të inteligjencës artificiale, duke ndjekur modelin e AI Act të Bashkimit Evropian. Mes praktikave të ndaluara përfshihen sistemet që përdorin teknika manipuluese ose mashtruese për të ndikuar në sjelljen e individëve, sistemet që shfrytëzojnë dobësitë e personave për shkak të moshës, aftësisë së kufizuar apo situatës ekonomike, si dhe sistemet e vlerësimit social.
Po ashtu, drafti ndalon krijimin e databazave të njohjes së fytyrës përmes mbledhjes së pakontrolluar të imazheve nga interneti ose kamerat e sigurisë, si dhe kufizon përdorimin e sistemeve për analizën e emocioneve në vendet e punës dhe institucionet arsimore, përveç rasteve me qëllime mjekësore ose sigurie.
Kufizime për biometrinë dhe rregulla të reja për sistemet me rrezik të lartë
Projektligji vendos kufizime të posaçme për përdorimin e sistemeve biometrike në kohë reale në hapësira publike. Përdorimi i tyre për zbatimin e ligjit do të lejohet vetëm në raste specifike, si kërkimi i viktimave të rrëmbimit ose trafikimit, parandalimi i kërcënimeve serioze ndaj jetës dhe sigurisë, apo identifikimi i personave të dyshuar për vepra të rënda penale.
Në çdo rast, përdorimi i këtyre sistemeve do të kërkojë autorizim paraprak nga gjykata kompetente, ndërsa projektligji përcakton se asnjë vendim me pasoja negative ligjore nuk mund të bazohet vetëm në rezultatin e një sistemi biometrik në kohë reale.
Një kapitull i veçantë i kushtohet sistemeve të inteligjencës artificiale me rrezik të lartë, të cilat do t’i nënshtrohen kërkesave më të forta për menaxhimin e rrezikut, dokumentacionin teknik, transparencën, regjistrimin e ngjarjeve dhe monitorimin pas vendosjes në treg.
Mbështetje për startup-et dhe mjedise testimi
Për të nxitur inovacionin, projektligji parashikon krijimin e “sandbox-eve rregullatore”, mjedise të kontrolluara ku kompanitë mund të zhvillojnë dhe testojnë sisteme të reja të inteligjencës artificiale nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Ndërkohë, startup-et dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme do të përfitojnë procedura të thjeshtuara dokumentacioni për proceset e vlerësimit të konformitetit.
Sipas nenit 1 të draftit, qëllimi i ligjit është promovimi i zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale të përqendruar te njeriu dhe të besueshme, duke garantuar mbrojtje të lartë për shëndetin, sigurinë, të drejtat themelore, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mjedisin.



