KreuAktualitetEkonomiaAlarm nga Eurostat/ "Shqipëria humbi 721 mijë banorë në 25 vjet"

Alarm nga Eurostat/ “Shqipëria humbi 721 mijë banorë në 25 vjet”

Shqipëria ka regjistruar rënien më të madhe të popullsisë në Europë gjatë 25 viteve të fundit. Sipas të dhënave të Eurostat, të bazuara në statistikat e INSTAT, vendi numëronte rreth 2.34 milionë banorë më 1 janar 2026, nga 3.06 milionë që kishte në vitin 2000.

Në këtë periudhë, popullsia është pakësuar me rreth 721 mijë persona, ose 23.6%, çka do të thotë se Shqipëria ka humbur pothuajse një në katër banorë që kishte në fillim të mijëvjeçarit.

Sipas analizës së të dhënave, Shqipëria renditet e para në Europë për ritmin e tkurrjes së popullsisë. Pas saj vjen Bullgaria me një rënie prej 21.6%, ndërsa Kosova renditet e treta me një tkurrje prej 19.3% që nga viti 2003.

Rënie të ndjeshme të popullsisë kanë shënuar edhe Lituania (17.8%), Rumania (15.2%), Kroacia (13.8%), Serbia (13.2%), Gjeorgjia (11.1%), Maqedonia e Veriut (10%) dhe Bosnjë-Hercegovina (9.5%). Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përjashtim bën vetëm Mali i Zi, i cili ka regjistruar një rritje të lehtë të popullsisë prej 3.3%.

Emigracioni dhe plakja po zbrazin vendin

Ekspertët e lidhin rënien e popullsisë me tre faktorë kryesorë: emigracionin e lartë, uljen e lindshmërisë dhe plakjen e shpejtë të popullsisë.

Largimi i vazhdueshëm i të rinjve ka reduktuar jo vetëm numrin e banorëve, por edhe popullsinë në moshë riprodhuese. Si pasojë, lindjet kanë rënë në nivelet më të ulëta historike, ndërsa pesha e të moshuarve në popullsi po rritet.

Sipas INSTAT, nga 1 janari 2021 deri në fillim të vitit 2026, mbi 166 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi përmes migracionit neto.

Një tjetër tregues shqetësues është mosha mediane e popullsisë, e cila ka arritur në 45 vjeç në vitin 2026, nga 34.2 vjeç që ishte në vitin 2014. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë shqiptare është tashmë mbi moshën 45-vjeçare.

Ndërkohë, në vitin 2025 u regjistruan vetëm 22.5 mijë lindje, niveli më i ulët i periudhës pas tranzicionit, krahasuar me rreth 82 mijë lindje në vitin 1990.

Pasojat në ekonomi dhe tregun e punës

Tkurrja e popullsisë po shoqërohet me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike. Numri më i vogël i të rinjve po ngushton ofertën e fuqisë punëtore, ndërsa rritja e numrit të pensionistëve po ushtron presion mbi sistemin e pensioneve dhe shërbimet shëndetësore.

Bizneset raportojnë prej vitesh mungesë të punonjësve, sidomos në sektorët që kërkojnë fuqi punëtore të kualifikuar, duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt punësimit të shtetasve të huaj.

BE-ja rrit popullsinë falë emigracionit

Ndryshe nga Shqipëria dhe shumica e vendeve të Europës Lindore, Bashkimi Europian vijon të rrisë numrin e banorëve. Më 1 janar 2026, popullsia e BE-së arriti në 452 milionë banorë, rreth 706 mijë më shumë se një vit më parë.

Megjithëse që prej vitit 2012 në BE regjistrohen më shumë vdekje sesa lindje, rritja e popullsisë është kompensuar nga emigracioni neto pozitiv.

Vendet me rritjen më të madhe të popullsisë që nga viti 2000 janë Malta, Irlanda, Qipro, Islanda dhe Spanja, të cilat kanë tërhequr emigrantë dhe kanë zbutur efektet e plakjes së popullsisë.

Në të kundërt, Shqipëria mbetet vendi me tkurrjen më të madhe demografike në Europë, një trend që po ngre shqetësime serioze për të ardhmen e tregut të punës, zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e sistemeve sociale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat