Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira De Sousa, ka kërkuar vijimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike, duke theksuar rolin që Kuvendi duhet të ketë në procesin e integrimit europian të vendit.
Duke folur këtë të hënë në konferencën ndërparlamentare mes përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane, De Sousa u shpreh se procesi i integrimit në BE e ka transformuar Shqipërinë, por ky transformim, sipas saj, duhet të vazhdojë.
“Rrugëtimi i Shqipërisë në BE e ka shndërruar vendin, por ky shndërrim duhet të vazhdojë”, deklaroi ambasadorja.
Ajo theksoi se synimi i procesit të integrimit nuk është vetëm anëtarësimi formal në Bashkimin Europian, por edhe krijimi i institucioneve të forta dhe një shoqërie më të qëndrueshme përballë sfidave.
De Sousa u ndal veçanërisht te roli i Kuvendit, duke e cilësuar atë si një institucion kyç në procesin e integrimit.
“Ne jemi të interesuar që Shqipëria të ketë institucione demokratike. Kuvendi ka një rol kyç në procesin e integrimit të vendit në BE, sepse Kuvendi është zëri i qytetarëve dhe ofron mundësinë që të debatohen vendimet politike”, tha ajo.
Sipas ambasadores, përparimi i reformave nuk mund të jetë vetëm një proces institucional, por duhet të përfshijë edhe shoqërinë.
“Kjo është shumë e rëndësishme, kur Shqipëria dëshiron të ecë përpara me reformat. Duhet të përfshihet e gjithë shoqëria në integrim”, u shpreh De Sousa.
Ajo përmendi edhe përfitimet që Shqipëria po merr përmes Planit të Rritjes së BE-së, duke theksuar se një prej objektivave kryesore është që qytetarët shqiptarë ta ndjejnë konkretisht procesin e anëtarësimit.
“Me Planin e Rritjes të BE-së Shqipëria po përfiton nga ato gjëra që përfitojnë aktualisht vendet anëtare. Për ne kyçe është që qytetarët shqiptarë të ndjejnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha ambasadorja.
Në fjalën e saj, De Sousa u ndal edhe te mënyra se si vlerësohet demokracia në një vend. Sipas saj, zgjedhjet janë vetëm një prej elementeve dhe nuk mund të jenë kriteri i vetëm për të vlerësuar funksionimin demokratik të një shteti.
“Çfarëdo lloj vlerësimi për gjendjen në të cilën ekziston një demokraci nuk matet vetëm me mënyrën se si organizohen zgjedhjet”, deklaroi ajo.
Ambasadorja përmendi si elementë të rëndësishëm lirinë e fjalës dhe aksesin, por edhe mënyrën se si funksionon Kuvendi, pavarësinë dhe llogaridhënien e institucioneve, transparencën, vendimmarrjen dhe hapësirën për debat politik.
“Sigurisht që Kuvendi është i pazëvendësueshëm për një proces anëtarësimi të suksesshëm”, theksoi De Sousa.
Në përfundim, ajo tha se qytetarët shqiptarë i kanë dhënë prej dekadash besimin e tyre projektit europian dhe se destinacioni i këtij procesi është më i gjerë se vetë anëtarësimi në BE.
“Destinacioni është më shumë se anëtarësim, por është një Europë më rezistente ndaj kërcënimeve”, u shpreh ambasadorja e BE-së.



