Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-ministri i Financave dhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, ka reaguar në rrjetet sociale për përplasjen e fundit lidhur me pagat e magjistratëve, duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar debati publik ndaj gjyqësorit.
Malaj e cilëson si “të mirëdirigjuar” atë që ai e përshkruan si një fushatë urrejtjeje ndaj magjistratëve, duke argumentuar se një qasje e tillë cenon, sipas tij, funksionimin kushtetues të shtetit.
“Ja pse nuk mund të qeveriset me arrogancë dhe në mënyrë të kundërligjshme”, shkruan Malaj, duke theksuar se legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori duhet të funksionojnë të ndarë, të balancuar dhe të kontrolluar, në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tij, mazhoranca duhet të mbajë përgjegjësi për secilën prej shtyllave të shtetit dhe të shmangë ndërhyrjet që mund të cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera.
Malaj paralajmëron gjithashtu se sulmet ndaj gjyqësorit për çështjen e pagave mund të krijojnë një precedent që, sipas tij, mund të përdoret edhe ndaj SPAK-ut.
“Ajo fushatë e dirigjuar kundër gjyqësorit për pagat, nesër mund të përdoret kundër SPAK-ut, me pretendimin se gjithçka kundër korrupsionit që bëjnë magjistratët bëhet sepse u ulen pagat”, shkruan ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Malaj thotë se qeveria është tërhequr në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, por kritikon paralajmërimet për vijimin e përgatitjes së një ligji të ri.
Në reagimin e tij, ish-ministri argumenton se çështja e pagave nuk mund të zgjidhet pa respektuar parimet kushtetuese dhe pa një ligj organik kombëtar për pagat, që sipas tij duhet të garantojë pavarësinë institucionale dhe autonominë financiare të tre pushteteve.
“Qeverisja nuk mund të funksionojë me parimin ku mazhoranca bën bamirësi vetvetes apo vendos penalitete ndaj dy pushteteve të tjera”, përfundon Malaj.



