Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi të premten se gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë janë arrestuar 127 persona, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
\Sipas tij, strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë identifikuar kanale dhe grupe komunikimi ku pretendohet se janë shpërndarë thirrje për akte ekstreme e terroriste, si dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në një deklaratë për mediat, Ziu bëri të ditur se arrestimet janë kryer për vepra penale që lidhen, ndër të tjera, me shkatërrimin e pronës dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë gjatë protestave.
Përveç situatës në terren, policia ka nisur edhe verifikimin e komunikimeve të shpërndara në rrjetet sociale dhe në platforma të tjera online.
“Gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, deklaroi Ziu.
Hetim për mesazhet në rrjetet sociale
Sipas drejtuesit të lartë të policisë, lidhur me këto komunikime është regjistruar procedimi penal përkatës. Strukturat e specializuara po bashkëpunojnë me agjenci partnere ndërkombëtare për identifikimin e adresave IP, administratorëve të kanaleve dhe përdoruesve që dyshohet se kanë bërë thirrje për dhunë apo akte terroriste.
Ziu tha se hetimet janë duke vijuar dhe se po shqyrtohen qëllimet dhe veprimet e personave të dyshuar. Ai nuk bëri publik identitetin e personave që janë objekt i këtij hetimi dhe as përmbajtjen e plotë të mesazheve që kanë çuar në regjistrimin e procedimit penal.
Policia paralajmëroi gjithashtu se përdorimi i llogarive anonime në rrjetet sociale nuk do t’i pengojë autoritetet të hetojnë rastet kur dyshohet për thirrje të paligjshme, kërcënime apo nxitje të dhunës.
Policia kundërshton lajmet që i cilëson të pavërteta
Në deklaratën e tij, Ziu u ndal edhe te informacionet që janë shpërndarë gjatë ditëve të protestave, duke shprehur keqardhjen për ato që policia i cilëson lajme të pavërteta dhe dashakeqe.
Sipas tij, disa prej këtyre informacioneve synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Deklarata vjen pas disa ditësh protestash të shoqëruara me tensione dhe përplasje në kryeqytet. Bilanci i bërë publik nga policia e çon në 127 numrin e personave të arrestuar dhe në 244 numrin e atyre që janë proceduar në gjendje të lirë.



