Kryetari i PD, Sali Berisha, ka deklaruar se protestat dhe “kryengritja paqësore” e opozitës kanë dëmtuar rëndë politikisht kryeministrin Edi Rama, duke e kthyer atë, sipas tij, në figurë negative në mediat ndërkombëtare.
Në një komunikim online me mbështetësit e tij, Berisha u shpreh se jehona ndërkombëtare e protestave të opozitës ka bërë që Rama të etiketohet rëndë nga mediat e huaja.
“Kam kënaqësinë t’u konfirmoj se është pikërisht ky qëndrim, janë kryengritjet tona paqësore, ato të cilat e kanë bërë Edi Ramën delen e zezë të mediave ndërkombëtare”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, mediat e mëdha botërore po e trajtojnë Ramën si “një gangrenë që duhet të hiqet për vendin e tij”, ndërsa pretendoi se asnjë lider tjetër europian nuk është përballur me një valë të tillë kritikash.
Sipas kreut të demokratëve, protestat e opozitës kanë ndikuar jo vetëm në “damkosjen politike” të Ramës në arenën ndërkombëtare, por edhe në krijimin e bindjes se Shqipëria ka një opozitë të fortë që përballet me atë që ai e cilësoi si “regjim autoritar”.
Berisha tha gjithashtu se reagimi opozitar ka rrëzuar, sipas tij, perceptimin se shqiptarët “janë të mësuar me korrupsionin dhe nuk reagojnë”.
Deklaratat e kreut të opozitës vijnë në një moment tensioni politik mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa demokratët kanë paralajmëruar vijimin e protestave dhe aksionit politik kundër qeverisë.



