Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga protestat, ndërsa paralajmëroi një tjetër mobilizim të madh në fillim të muajit qershor.
Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se aksioni opozitar do të vijojë “në mënyrë më të fuqishme”, por theksoi se aktualisht Partia Demokratike është e angazhuar në procese të brendshme organizative, përfshirë referendumin për votëbesimin e kryetarit dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Sipas tij, këto procese kërkojnë angazhim dhe punë intensive nga strukturat e partisë, ndaj protesta e radhës është shtyrë për ditët e para të qershorit.
“Në mënyrë më të fuqishme do vijohet me protesta. Por kemi referendumin për votëbesimin e kryetarit dhe Kuvendin Kombëtar. Dhe këto janë procese që kërkojnë punë. Ndaj ditët e para të qershorit do të jetë kryengritja më e fuqishme që ka njohur Shqipëria”, deklaroi Berisha.
Me këtë deklaratë, kreu i demokratëve paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar, ndërsa përdori termin “kryengritje” për protestën e paralajmëruar, duke sinjalizuar një mobilizim të gjerë politik dhe qytetar kundër qeverisë.
Prej muajsh, opozita e drejtuar nga Berisha ka organizuar protesta dhe tubime, duke akuzuar qeverinë për manipulim zgjedhor, korrupsion dhe kapje të institucioneve.
Paralelisht me aksionin në terren, Partia Demokratike pritet të zhvillojë edhe referendum të brendshëm për votëbesimin e kryetarit, si dhe Kuvendin Kombëtar, procese që Berisha i konsideroi të rëndësishme për organizimin dhe forcimin e partisë.



