KreuAktualitetPolitikaBerisha tërhiqet nga bojkoti i Kuvendit/ Shmang hyrjen kryesore për t’iu shpëtuar...

Berisha tërhiqet nga bojkoti i Kuvendit/ Shmang hyrjen kryesore për t’iu shpëtuar protestuesve

Opozita ka vendosur të marrë pjesë në seancën e sotme plenare, ndërsa jashtë perimetrit të Kuvendit janë mbledhur qindra protestues, të cilët kanë qëlluar me vezë ligjvënësit në hyrje të Parlamentit, në këtë seancë të parafundit të legjislaturës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me deputetët demokratë, kanë hyrë në Kuvend nga porta e Akademisë së Shkencave, duke shmangur hyrjen kryesore të Parlamentit, ku protestuesit ishin mbledhur prej orëve të para të mëngjesit.

Berisha është shfaqur në krye të grupit parlamentar demokrat dhe ka përshëndetur mediat me simbolin e dy gishtave lart, teksa opozita iu drejtua sallës së Kuvendit për të marrë pjesë në seancën plenare.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i PD-së ka sulmuar ashpër nënkryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar se po injoron amendamentet e propozuara nga opozita, të cilat, sipas tij, kërkohen edhe nga Bashkimi Evropian.

“Do të mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të deputetëve. Si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë,” u shpreh Berisha nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, prej një muaji opozita ka depozituar amendamente për ndryshimin e disa ligjeve, të cilat, sipas pretendimeve të demokratëve, kërkohet të amendohen edhe nga institucionet europiane.

“Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve, të cilat BE-ja, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian kërkojnë të anulohen dhe të amendohen. Të cilat protesta më e fuqishme rinore dhe qytetare pas viteve ’90 kërkon të anulohen. Dhe ti, me përgjegjësi absolute tënden, i injoron sikur nuk ekzistojnë,” deklaroi kreu i demokratëve.

Seanca plenare po zhvillohet mes tensioneve politike dhe protestës së opozitës jashtë Kuvendit, ndërsa demokratët kanë paralajmëruar vijimin e aksionit të tyre kundër mazhorancës dhe ligjeve që, sipas tyre, cenojnë standardet demokratike dhe procesin e integrimit europian të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat