Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Juristja dhe gazetarja Dafina Hysa ka reaguar lidhur me ecurinë e reformës zgjedhore, duke ngritur shqetësimin për vonesat dhe mungesën e dakordësisë politike për çështjet kryesore që duhet të adresojë kjo reformë.
Hysa vë në dukje se Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore i kanë mbetur vetëm 10 ditë nga përfundimi i mandatit, ndërsa disa prej çështjeve më të rëndësishme vijojnë të jenë të pazgjidhura.
Sipas saj, procesi ndodhet ende në fazën e diskutimeve, ndërsa kërkohet angazhimi i ekspertëve të OSBE/ODIHR dhe po shqyrtohet mundësia e dërgimit të projektligjit për financimin e partive politike në Komisionin e Venecias për një opinion.
Ndërkohë, çështjet që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e përfaqësimit politik dhe barazinë në garën zgjedhore nuk kanë marrë ende një zgjidhje. Sistemi proporcional kombëtar, listat e hapura dhe garancitë për një konkurrencë të ndershme mbeten ndër pikat kryesore ku palët duhet të gjejnë konsensus.
Juristja dhe gazetarja ngre pikëpyetje nëse reforma do të arrijë të adresojë problemet e sistemit zgjedhor, apo do të përfundojë si një ndërhyrje e pjesshme, e diktuar nga kompromiset politike në ditët e fundit të mandatit të komisionit.
Shqetësimi i ngritur prej saj rikthen në vëmendje debatin mbi vullnetin e forcave politike për të ndryshuar realisht rregullat e zgjedhjeve, në një kohë kur pritshmëritë për një proces zgjedhor më të drejtë dhe më konkurrues vijojnë të mbeten të larta.




