Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar në rrjetet sociale për gjendjen e hapësirave publike dhe mungesën e gjelbërimit në zonën e “5 Majit” në Tiranë.
Braçe ka publikuar pamje nga zona, ndërsa ngre shqetësimin për sipërfaqet e betonizuara dhe kërkon që ato të kthehen në hapësira të gjelbra dhe zona me pemë.
“Nuk ka beton për të shkulur në Tiranë?! Seriozisht?! Ka kudo!”, shkruan Braçe në reagimin e tij.
Sipas deputetit socialist, në zonën e “5 Majit” ka sipërfaqe të konsiderueshme betoni dhe të shtruara me pllaka, të cilat, sipas tij, duhet të zëvendësohen me gjelbërim.
“Duhet të kthehen në sipërfaqe të gjelbërta dhe oaz pemësh që më në fund ofrojnë hije e ulin temperaturën që sjellin sipërfaqet e betonit”, shprehet ai.
Braçe thotë se zona është një lagje e ndërtuar mirë dhe ka ajër, por problemi, sipas tij, është mungesa e pemëve dhe hijes.
“Është shumë nxehtë, nuk ka pemë e hije prej tyre! Ato pak që janë duken të djegura nga dielli, ashtu si dhe bari që është bërë kashtë”, shkruan deputeti.
Në fund të reagimit, Braçe kërkon një ndryshim të qasjes ndaj hapësirave urbane, duke e vendosur theksin te shtimi i gjelbërimit.
“Duhet të ndryshojmë e të shkojmë fort nga gjelbërimi!”, përfundon ai.
Reagimi vjen në një kohë kur Braçe ka vijuar të kritikojë publikisht probleme të ndryshme të lidhura me menaxhimin dhe infrastrukturën në Tiranë. Vetëm një ditë më parë, ai reagoi për gjendjen e rrugës dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, duke kërkuar ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës.
Reagimi i fundit ngre edhe një pikëpyetje politike. A është kritika e Braçes ndaj betonizimit një tjetër qëndrim i drejtpërdrejtë ndaj politikave urbane të Bashkisë së Tiranës dhe ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim?



