Tetë operatorë të tregut të karburanteve kanë hapur betejën gjyqësore me shtetin shqiptar, duke kërkuar rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga mënyra e përcaktimit të çmimeve nga Bordi i Transparencës.
Burime nga tregu i hidrokarbureve bëjnë me dije se më 19 shtator pritet të zhvillohet në Gjykatën Administrative seanca e parë për shqyrtimin e padisë së një prej kompanive. Paditë do të shqyrtohen veçmas, pasi secili operator ka depozituar kërkesën e tij në gjykatë.
Paditë janë paraqitur në mesin e muajit korrik dhe lidhen me pretendimin e kompanive se çmimet e karburanteve janë llogaritur nën koston reale të importit.
Përplasja për metodologjinë e çmimeve
Debati mes operatorëve dhe qeverisë lidhet kryesisht me metodologjinë e përdorur nga Bordi i Transparencës për përcaktimin e çmimeve.
Sipas kompanive, qeveria ka vijuar të përdorë një formulë të aplikuar edhe gjatë krizës së vitit 2022, duke u bazuar te çmimi FOB (Free on Board), i cili nuk përfshin kostot e transportit dhe sigurimit.
Operatorët argumentojnë se duhet të merret në konsideratë çmimi CIF, i cili përfshin edhe këto kosto. Sipas tyre, diferenca mes dy mënyrave të llogaritjes e rrit koston reale të blerjes me rreth 45-50 dollarë për ton.
Një tjetër pikë e ngritur nga kompanitë është diferenca mes mënyrës së llogaritjes së çmimit nga Bordi dhe asaj të përdorur nga administrata doganore për TVSH-në.
Ndërsa Bordi është bazuar te treguesi FOB për përcaktimin e çmimit, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi treguesin CIF. Sipas operatorëve, kjo diferencë u ka krijuar një humbje prej rreth 4.7 lekësh për litër.
Operatorët paralajmëruan paditë që në maj
Përplasja gjyqësore nuk është e re. Në muajin maj, rreth dy muaj pas riaktivizimit të Bordit të Transparencës, importuesit paralajmëruan qeverinë se do t’i drejtoheshin gjykatës.
Ata kundërshtuan mënyrën e llogaritjes së çmimeve dhe kërkuan kompensimin e humbjeve që, sipas tyre, kanë ardhur si pasojë e vendosjes së çmimeve nën koston reale të importit.
Tashmë çështja ka kaluar në Gjykatën Administrative dhe do të vendoset përmes proceseve të veçanta për secilin operator.
Nafta mbi 200 lekë për litër
Ndërkohë, tregu vendas i karburanteve po përballet me një tjetër presion, këtë herë nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe situata rreth ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit botëror me naftë, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve ndërkombëtare.
Çmimi i naftës Platts, i përdorur si referencë për llogaritjen e çmimit të karburanteve për zhdoganim në Shqipëri, është rritur ndjeshëm. Nga rreth 1,300 dollarë për ton disa ditë më parë, ai ka arritur në rreth 1,450 dollarë për ton.
Rritja në tregjet e huaja është reflektuar edhe në tregun vendas, ku çmimi i naftës dhe benzinës ka kaluar nivelin e 200 lekëve për litër.
Importuesit paralajmërojnë se nëse tensionet ndërkombëtare dhe përshkallëzimi i konfliktit vijojnë, presioni mbi çmimet e karburanteve mund të rritet më tej.
Sipas tyre, një nga masat që mund të frenonte rritjen e çmimeve do të ishte ulja e taksave mbi naftën nga qeveria shqiptare.



