Aktivisti i kauzave studentore, Aurel Kujtimi ka denoncuar se janë hedhur lekët për godinën 19 në qytetin Studenti, por vetëm aq, pasi godina nuk u ndërtuar kurrë.
“Në qytetin Studenti për godinën 19 që nuk ekziston janë hedhur lekët, është bërë tenderi, por si inceneratori i Tiranës, godina nuk ekziston”, shkruan në rrjete sociale Kujtimi.
Më tej ai sjell edhe një video, ku në pmaje shihet vendi ku duhej të ndërtohej godina.
“Kjo pamja është bërë me dron dje për mos-ekzistencën e Godinës 19 në Qytetin Studenti ku proçedurat janë zhvilluar që në vitin 2020 pas tërmetit të Nëntorit të 2019. Godina është shembur me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj.
Tenderi është dhënë që në vitin 2021 dhe godina duhej të përfundonte me kohë, mesa duket plani është tjetër nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ndërkohë lekët janë hedhur për Godinën 19 dhe kjo godinë si inceneratori i Tiranës nuk ekziston.
Kjo godinë është pjesë e kallëzimit penal që kam bërë me Andrea Bregun në muajin Qershor të këtij viti ku SPAK i kaloi për mos-kompetencë çështjen Prokurorisë së Tiranës.
Unë do të vazhdoj të denoncoj aferat korruptive dhe vjedhjen e fondeve në Qytetin Studenti”, shkruan Kujtimi.