KreuDrejtësiaDeputetë, kryebashkiakë e gjyqtarë nën hetim/ Mbi 2300 gjoba për deklarimet e...

Deputetë, kryebashkiakë e gjyqtarë nën hetim/ Mbi 2300 gjoba për deklarimet e pasurisë

Mbi 600 zyrtarë të lartë dhe funksionarë publikë janë referuar pranë organeve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese gjatë 11 viteve të fundit për probleme me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit.

Të dhënat e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave tregojnë se nga viti 2014 deri në vitin 2025 janë referuar 610 raste ndaj deputetëve, kryebashkiakëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike.

Gjatë kësaj periudhe, ILDKPKI ka vendosur gjithashtu 2306 masa administrative me gjobë për shkelje që lidhen me deklaratat e pasurisë. Shkeljet më të zakonshme kanë të bëjnë me deklarime të rreme, të paplota, mosdorëzim në afat të deklaratave, si dhe mosrespektim të rregullave për konfliktin e interesit.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë vendosur 75 gjoba administrative, ndërsa 16 raste janë referuar për ndjekje të mëtejshme pranë organeve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Sipas raportit të ILDKPKI, numri i referimeve gjatë viteve të fundit konsiderohet në nivel të lartë edhe sipas indikatorëve ndërkombëtarë të OECD për kontrollin e integritetit të zyrtarëve publikë.

Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me dyshime për fshehje informacioni në deklarimet e pasurisë, mosjustifikim të burimeve financiare apo mosdeklarim të interesave që mund të krijojnë konflikt gjatë ushtrimit të detyrës.

Ndërkohë, gjatë vitit 2025 është rritur edhe numri i sinjalizimeve nga punonjës të administratës publike. ILDKPKI raporton se ka trajtuar 11 raste denoncimi dhe 8 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja, sipas ligjit për sinjalizuesit.

Sinjalizimet kanë ardhur kryesisht nga institucione të administratës publike, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, por edhe nga institucione të pavarura dhe universitete.

Problematikat e raportuara lidhen me dyshime për konflikt interesi, shkelje të procedurave të prokurimeve publike, parregullsi në ushtrimin e funksioneve shtetërore, falsifikim të dokumenteve zyrtare, si dhe trajtim të padrejtë të punonjësve.

Shifrat e ILDKPKI tregojnë se kontrolli i pasurive të zyrtarëve dhe mekanizmat e denoncimit vijojnë të jenë një nga fushat kryesore të përpjekjeve kundër korrupsionit në administratën publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat