KreuAktualitetEkonomiaBllokimi i Aeroportit të Vlorës kushton miliona/ Pacolli: Kush do të paguajë...

Bllokimi i Aeroportit të Vlorës kushton miliona/ Pacolli: Kush do të paguajë faturën?

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar në rrjetet sociale për situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke ngritur akuza dhe pikëpyetje për bllokimin e punimeve dhe pasojat financiare për nënkontraktorët.

Pacolli thotë se kanë kaluar gati tre muaj që kur qasja në kantier është bllokuar, ndërsa, sipas tij, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë vendim gjyqësor që të justifikojë këtë masë.

“Sot, dhjetëra nënkontraktorë kërkojnë kompensim për tre muaj bllokim, fitimin e munguar, makineritë dhe pajisjet e mbetura në kantier”, shkruan Pacolli.

Sipas tij, dëmi financiar i krijuar nga bllokimi tashmë llogaritet në dhjetëra milionë euro.

“Fatura tashmë arrin në dhjetëra milionë euro — dhe dikush do të duhet ta paguajë!”, shprehet ai.

Pacolli pretendon gjithashtu se nënkontraktorët, së bashku me kompaninë e tij, kanë bërë më herët kallëzime penale lidhur me situatën, por deri tani, sipas tij, nuk ka pasur rezultat.

Në reagimin e tij, biznesmeni ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si është ndërhyrë në kantier, duke thënë se policia në terren u shprehej punonjësve se vepronte “me urdhër nga lart”.

Në fund, Pacolli u drejtohet qytetarëve me një sërë pyetjesh:

“Qytetarë, a po e kuptoni çfarë po ndodh? Kush do të përgjigjet dhe kush do ta paguajë këtë faturë?”

Reagimi i tij rikthen në vëmendje situatën e krijuar rreth kantierit të Aeroportit të Vlorës dhe përgjegjësitë që mund të lindin nga bllokimi i punimeve, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të trajtohen pretendimet për dëmet financiare dhe kallëzimet e bëra nga palët e përfshira.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat