Numri i bizneseve të reja dhe aplikimeve në regjistrat e Qendra Kombëtare e Biznesit ka shënuar rritje gjatë muajit prill 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit prill janë regjistruar 2009 subjekte të reja, nga 1793 që ishin regjistruar në prill 2025, duke reflektuar një rritje prej 12%.
Ndërkohë, numri total i aplikimeve në regjistra ka arritur në 14,615, ose 5.35% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e regjistrimeve është mbështetur kryesisht nga Tirana, ku janë regjistruar 1026 subjekte të reja, e ndjekur nga Vlora dhe Durrësi.
Sipas raportit, bizneset me kapital 100% shqiptar vijojnë të dominojnë tregun, me 1762 subjekte të regjistruara, ndërsa 212 subjekte rezultojnë me kapital të huaj dhe 32 me kapital të përbashkët shqiptar dhe të huaj.
Pjesa më e madhe e regjistrimeve i përket kategorisë “Person fizik”, me 1534 regjistrime, ndërsa janë regjistruar edhe 469 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
Sektorët më aktivë gjatë muajit prill kanë qenë tregtia me shumicë dhe pakicë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, si edhe shërbimet administrative dhe mbështetëse.
Aktivitet të konsiderueshëm kanë shfaqur gjithashtu ndërtimi, transporti, komunikacioni dhe sektori i pasurive të paluajtshme.
Raporti evidencon gjithashtu se gjatë prillit janë regjistruar 629 subjekte të administruara nga gra, ndërsa në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve janë regjistruar 201 leje dhe licenca.



