back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGJKKO rrëzon SPAK-un/ Rikthen për hetim dosjen e gjyqtares Irena Gjoka

GJKKO rrëzon SPAK-un/ Rikthen për hetim dosjen e gjyqtares Irena Gjoka

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, duke urdhëruar vijimin e hetimeve dhe kryerjen e një sërë veprimesh të reja hetimore brenda 6 muajve.

Vendimi i marrë nga gjyqtarja Marinela Osmani rikthen dosjen në Prokurorinë e Posaçme, duke i kërkuar kësaj të fundit thellimin e hetimeve lidhur me akuzat për falsifikim të formularëve të dekriminalizimit, kallëzim i bërë më herët nga Partia Demokratike.

SPAK kishte kërkuar pushimin e procedimit penal me argumentin se, edhe pse gjatë hetimeve ishte provuar ekzistenca e një dënimi në Greqi ndaj Irena Gjokës, nuk provohej që ajo të kishte dijeni për këtë vendim penal. Prokuroria argumentonte gjithashtu se vepra penale ishte parashkruar për shkak të kohës së kaluar.

Por Gjykata nuk e ka pranuar këtë arsyetim, duke vlerësuar se hetimet nuk janë të plota dhe se ekzistojnë ende një sërë rrethanash që duhet të verifikohen përpara se çështja të mbyllet.

Në vendimin e saj, GJKKO i ka lënë SPAK-ut një listë prej 20 detyrash konkrete hetimore që duhet të realizohen. Mes tyre janë marrja në pyetje e kallëzuesve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Adriana Kalaja, administrimi i të dhënave nga pika kufitare e Kakavijës, si dhe sigurimi i dokumentacionit zyrtar nga autoritetet greke.

Gjykata kërkon gjithashtu marrjen e vendimeve penale të gjykatave greke, procesverbaleve të ndalimit të hyrjes në kufi, dokumenteve të ankimimeve të bëra në Athinë dhe Janinë, si dhe ekspertizën për pasaportën me vizë të falsifikuar që lidhet me emrin e Irena Gjokës.

Një tjetër element që GJKKO kërkon të verifikohet janë të gjitha formularët e dekriminalizimit dhe deklarimet që gjyqtarja ka plotësuar ndër vite pranë institucioneve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, KLGJ dhe ILD.

Sipas gjykatës, duhet të administrohen edhe formularët e vitit 2022, kur Irena Gjoka u emërua zëvendëskryetare e GJKKO-së, dhe jo vetëm formulari i vitit 2016, siç ishte fokusuar hetimi i SPAK.

Po ashtu, SPAK duhet të marrë dokumentacionin e prokurës së dhënë nga Irena Maneku dhe Sotiraq Gjoka për avokatin Andon Konomi, i cili ka ndjekur procedurat pranë autoriteteve greke.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se Prokuroria e Posaçme duhet të kryejë të gjitha këto veprime hetimore brenda 6 muajve nga marrja e formës së prerë të vendimit.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat