Qytetarët që lëvizin në pikat kufitare me shuma cash mbi 10 mijë euro do të përballen me kontrolle më të ashpra dhe detyrime më të zgjeruara deklarimi, sipas një projektligji të hedhur për konsultim publik për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
Sipas draftit, deklarata nuk do të kufizohet vetëm te shuma e parave, por do të duhet të përmbajë të dhëna të plota të mbajtësit, pronarit dhe marrësit të synuar të fondeve, duke rritur ndjeshëm nivelin e verifikimit nga autoritetet doganore.
Në rastet kur paratë janë të pashoqëruara, dogana mund të kërkojë deklarim shtesë brenda 30 ditësh dhe të bllokojë përkohësisht shumën deri në sqarimin e plotë të origjinës dhe destinacionit të tyre.
Projektligji parashikon gjithashtu që autoritetet doganore të kenë të drejtë të kryejnë kontrolle të detajuara të individëve, bagazheve dhe mjeteve të transportit, në kuadër të forcimit të masave kundër pastrimit të parave.
Edhe për shuma nën 10 mijë euro, nëse ka dyshime për lidhje me veprimtari kriminale, dogana mund të nisë procedura verifikimi dhe të vendosë bllokim të përkohshëm deri në 30 ditë, me mundësi zgjatjeje deri në 90 ditë.
Drafti parashikon edhe gjoba të konsiderueshme për mosdeklarim: 30% të shumës mbi 10 mijë euro për vlera deri në 20 mijë euro, 40% për shuma deri në 50 mijë euro dhe deri në 50% për vlera më të larta. Gjoba minimale nuk mund të jetë më pak se 500 euro.
Në rastet kur dyshohet për vepër penale të lidhur me pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit, autoritetet janë të detyruara të referojnë çështjen në organet e drejtësisë brenda 72 orëve.
Projektligji shihet si një shtrëngim i ndjeshëm i kontrollit financiar në kufi, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e qarkullimit të parave me origjinë të dyshimtë.



