KreuDrejtësiaDosja “Beqaj”/ SPAK kundërshton të gjitha kërkesat e ish-ministrit

Dosja “Beqaj”/ SPAK kundërshton të gjitha kërkesat e ish-ministrit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga ish-ministri Ilir Beqaj, përmes të cilave ai kundërshton akuzat e ngritura ndaj tij, si edhe një sërë veprimesh procedurale të kryera gjatë hetimeve.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori Edvin Kondili deklaroi se pretendimet e të pandehurit janë shqyrtuar dhe kanë marrë përgjigje si në fazën hetimore, ashtu edhe gjatë seancës paraprake, çka pasqyrohet në vendimin e gjykatës për pranimin e kërkesës për gjykim të çështjes penale.

Sipas SPAK, kërkesa e Beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës nuk mbështetet në ligj dhe, për rrjedhojë, duhet të rrëzohet. Prokuroria theksoi se veprimet procedurale të kryera janë miratuar nga gjyqtari i seancës paraprake në momentin e pranimit të kërkesës për gjykim.

Në lidhje me pretendimin se akuza për vjedhje nuk provohet, SPAK argumentoi se i pandehuri nuk ka paraqitur kërkesa konkrete juridike, por ka ngritur çështje që do të trajtohen gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga palët në proces.

Prokuroria kundërshtoi gjithashtu kërkesën për përjashtimin e të dhënave elektronike të sekuestruara nga një kompjuter, duke vlerësuar se ato janë siguruar në përputhje me ligjin dhe se aktet procedurale përkatëse janë të vlefshme.

Sa i përket kërkesës së 19-të, që lidhet me pavlefshmërinë e akuzës për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, SPAK deklaroi se vendimi për ngritjen e akuzës është i bazuar në ligj. Prokuroria shtoi se burimet e provës dhe faktet janë pasqyruar në mënyrë të detajuar në vendimin e seancës paraprake, ku është përcaktuar edhe vlera e dëmit ekonomik që, sipas akuzës, i është shkaktuar shtetit.

Në kërkesën e 20-të, mbrojtja e Beqajt ka ngritur shqetësimin për mungesën e kontratës origjinale të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë. SPAK pranoi se dokumenti origjinal nuk është gjetur në institucion, duke e cilësuar këtë si shkelje administrative, por sqaroi se një kopje e njësuar e kontratës është gjetur në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Për këtë arsye, Prokuroria kundërshton pretendimin se kontrata nuk mund të konsiderohet provë e vlefshme dhe kërkon rrëzimin e kërkesës së të pandehurit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat