Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, ku u prezantua nisja e zbatimit të programit kombëtar të mbështetjes së qeverisë për bizneset e vogla dhe të mesme.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal te forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros, duke i cilësuar ato si tregues të qartë të rritjes ekonomike të vendit dhe duke kundërshtuar pretendimet se ky fenomen lidhet me qarkullimin e parave të pista.
Sipas Ramës, ekonomia shqiptare po përfiton nga hyrja e miliarda eurove çdo vit, veçanërisht nga turizmi, investimet dhe rritja e aktivitetit ekonomik, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e monedhës kombëtare.
“Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare dhe një tregues kokëfortë i rritjes së saj. Të thuash se kjo ndodh për shkak të narkotikëve apo parave të pista është një pretendim i pabazuar”, deklaroi Kryeministri.
Ai theksoi se, nëse do të ekzistonin shqetësime serioze lidhur me burimin e këtyre flukseve financiare, institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë që monitorojnë ekonominë shqiptare do ta kishin evidentuar një gjë të tillë.
Rama pranoi se ekonomia informale dhe paratë e pista janë fenomene që ekzistojnë, por nënvizoi se ato nuk janë specifike vetëm për Shqipërinë dhe se lufta kundër tyre po vijon përmes institucioneve ligjzbatuese.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u ndal edhe te situata në tregun e punës, duke u bërë thirrje bizneseve të ofrojnë paga më konkurruese për të nxitur rikthimin e emigrantëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit.
“Bizneset duhet të krijojnë besimin e shqiptarëve që kanë emigruar për punë, pasi sot Shqipëria jeton jo vetëm me arritjet e saj, por edhe me pritshmëritë për të ardhmen”, u shpreh ai.
Rama solli në vëmendje edhe zhvillimet në sektorin e turizmit, duke bërë të ditur se të ardhurat nga turistët e huaj kanë arritur në rreth 5.7 miliardë euro. Sipas tij, pavarësisht një ngadalësimi të lehtë të ritmit të rritjes gjatë muajit qershor, Shqipëria po vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh të huaj.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se procesi i integrimit evropian dhe monitorimi i vazhdueshëm nga institucionet e Bashkimit Evropian përjashtojnë pretendimet se ekonomia shqiptare mbështetet te pastrimi i parave.
Në fund, Rama vlerësoi edhe performancën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duke theksuar se ai ka arritur të renditet ndër aeroportet me trafikun më të lartë në rajon pa subvencione shtetërore, një tjetër tregues që, sipas tij, shpjegon forcimin e lekut në vitet e fundit.



