Dosja e rekursit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në Gjykatën e Lartë vijon të mbetet peng i zvarritjeve procedurale, ndërsa relatorët e saj janë tërhequr njëri pas tjetrit. Pas tërheqjes së gjyqtarëve Sokol Binaj dhe së fundmi Genti Shala, çështja i ka kaluar gjyqtarit Enton Dhimitri, duke shtuar pikëpyetjet mbi kohën dhe mënyrën e shqyrtimit të një prej dosjeve më të bujshme të drejtësisë shqiptare.
Tërheqja e një gjyqtari për shkak të konfliktit të interesit është një standard ligjor dhe profesional që garanton paanshmërinë e procesit. Megjithatë, kur një dosje me interes të lartë publik endet prej vitesh nga një relator te tjetri, problemi nuk është më individual, por institucional.
Pyetja që shtrohet sot është se përse një çështje që ka kaluar të gjitha hallkat e gjykimit vijon të mos marrë një vendimmarrje përfundimtare në Gjykatën e Lartë?
Publiku ka të drejtë të dijë se përse një dosje e rëndësishme, që lidhet me një ish-ministër të Brendshëm të dënuar për shpërdorim detyre, nuk po merr drejtim përfundimtar. Heshtja institucionale dhe vonesat e përsëritura vetëm sa ushqejnë mosbesimin ndaj sistemit të drejtësisë.
Në një shtet ligjor, gjyqtarët nuk duhet t’i frikësohen askujt dhe asnjë emër politik nuk duhet të ketë peshë më të madhe se ligji. Nëse tërheqjet lidhen me shkaqe procedurale, ato duhet të shpjegohen qartë dhe transparenca duhet të jetë maksimale. Në të kundërt, krijohet perceptimi se dosjet që përfshijnë ish-zyrtarë të lartë trajtohen me standarde të ndryshme nga ato të qytetarëve të zakonshëm.
Saimir Tahiri kërkon pafajësinë e plotë, ndërsa SPAK ka paraqitur gjithashtu rekursin e tij. Por ndërsa palët presin një vendim përfundimtar, dosja vijon të “udhëtojë” nga një gjyqtar te tjetri, pa një datë konkrete për shqyrtimin e saj.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Për një çështje që ka dominuar debatin publik prej vitesh, Gjykata e Lartë ka detyrimin jo vetëm të vendosë, por edhe të garantojë që procesi të mos kthehet në një maratonë të pafund procedurash dhe tërheqjesh. Pyetja nuk është nëse gjyqtarët kanë frikë nga Saimir Tahiri, por pse sistemi i drejtësisë ende nuk po arrin t’i japë fund një dosjeje që duhej të ishte mbyllur prej kohësh.



