Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e protestës së opozitës që do të zhvillohet të premten në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, Partia Demokratike ka deklaruar se tubimi do të nisë në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Në terren do të angazhohen 1533 efektivë policie, me qëllim garantimin e rendit publik, sigurisë dhe mbarëvajtjes së tubimit.
Policia ka bërë me dije edhe kufizime të lëvizjes në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 do të ndalohet parkimi dhe qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërsa nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës u ka bërë thirrje organizatorëve të respektojnë afatin kohor dhe zonën e përcaktuar për tubimin, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për kufizimet në qarkullim.
Gjithashtu, uniformat blu kanë apeluar që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë protestës.



