KreuAktualitetPolitikaNga kardiologjia te drejtimi i Shëndetësisë/ Kush është Klodiana Spahiu?

Nga kardiologjia te drejtimi i Shëndetësisë/ Kush është Klodiana Spahiu?

Kryeministri Edi Rama ka propozuar Klodiana Spahiun për detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke e prezantuar atë si pjesë të angazhimit për një shëndetësi më të aksesueshme dhe forcimin e mirëqenies sociale.

Spahiu është mjeke kardiologe me një përvojë disa-vjeçare në sistemin shëndetësor, si dhe në fushën akademike. Ajo ka përfunduar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997, ndërsa gjatë viteve 1998-2002 është specializuar në kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”.

Formimi i saj profesional është zgjeruar më tej me specializime në Itali, veçanërisht në fushën e kardiologjisë joinvazive. Ajo është trajnuar për ekokardiografinë, PU-EKG dhe eko-dopplerin e karotideve pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli” në Romë.

Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studime pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, në Departamentin e Lëndëve Paraklinike. Ndërsa në fund të vitit 2005 ka kryer një tjetër specializim në Itali, këtë herë në fushën e kardiologjisë invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara” në Pisa.

Përvojës së saj klinike i është shtuar edhe ajo në menaxhimin e sistemit shëndetësor. Në vitet 2012-2014, Spahiu ka përfunduar masterin profesional në menaxhim shëndetësor.

Karrierën si mjeke e ka ushtruar në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa gjatë viteve 2003-2009 ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit. Më pas, ajo ka marrë drejtimin e këtij spitali, duke shërbyer si drejtoreshë.

Krahas aktivitetit në sistemin shëndetësor, Spahiu ka një eksperiencë të gjatë edhe në pedagogji. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2006 ka punuar si pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin “UFO” në Tiranë.

Prej vitit 2008 e në vijim, ajo ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.

Spahiu mban gjithashtu titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

Propozimi i saj për drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë vjen në një sektor që përballet me sfida të vazhdueshme, nga aksesi i qytetarëve te shërbimet shëndetësore dhe cilësia e tyre, deri te menaxhimi i burimeve njerëzore dhe forcimi i skemave të mirëqenies sociale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat