Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër mënyrë të konceptimit të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve, duke e vendosur në qendër të fjalës së tij projektin “Pasqyrë Albania”, por edhe dy nisma të tjera të quajtura “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Në adresimin e tij para Grupit Parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se këto nisma nuk duhen parë si një tjetër portal, kalendar partiak apo fushatë komunikimi, por si pjesë e një reforme që synon të ndryshojë mënyrën se si shteti dëgjon, informon dhe u përgjigjet qytetarëve.
Sipas kryeministrit, Shqipëria përballet ende me tre probleme që ushqejnë njëri-tjetrin. Një shtet që për qytetarin shpesh shfaqet si “labirinth”, mungesën e memories institucionale dhe ndjesinë se për një shërbim, një vend pune apo një mundësi, njohja mund të vlejë më shumë se merita dhe fati më shumë se ligji.
Pikërisht këtyre problemeve, tha Rama, synojnë t’u japin përgjigje “Pasqyrë Albania”, “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Shkalla e meritës”.
“Pasqyrë Albania” do të jetë një hapësirë digjitale ku qytetari nuk do të gjejë thjesht deklaratat e ditës së qeverisë, por informacionin se çfarë po bëhet në emër të tij, pse merret një vendim, cili institucion është përgjegjës, mbi cilin ligj mbështetet dhe në çfarë faze ndodhet një proces.
Rama tha se qëllimi është që qytetari të mos jetë më i detyruar të kërkojë informacion në shumë institucione apo të mbështetet vetëm te ajo që publikohet në media.
“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, jo me muhabete, me procesverbale jo me komunikata për shtyp çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh realisht”, u shpreh ai.
Në këtë sistem, sipas Ramës, do të jenë të aksesueshme dokumentet, shifrat, provat, procesverbalet, mendimet e ekspertëve dhe arsyet e vonesave. Ideja është që për çdo çështje të ketë një adresë publike ku qytetari të shohë se kush është përgjegjës dhe çfarë po ndodh me një proces.
Një rol të rëndësishëm në këtë projekt do të ketë edhe Inteligjenca Artificiale. Rama tha se “Pasqyrë Albania” po ndërtohet si një arkitekturë e re digjitale dhe se në të do të jetë i pranishëm pushteti ekzekutiv, ndërsa përfshirja e Parlamentit dhe pushtetit gjyqësor do të varet nga vendimmarrja e këtyre institucioneve.
E-Albania do të mbetet pjesë e këtij sistemi. Të dhënat personale, dokumentet individuale dhe komunikimi për shërbimet do të vazhdojnë të trajtohen në kanalet përkatëse. Ndryshimi, sipas kryeministrit, do të jetë se një problem individual nuk do të mbetet më “jetim” në një sistem të vështirë për t’u ndjekur.
Qytetari do të mund të marrë njoftime në kohë reale edhe për ndryshime ligjore apo vendime që lidhen me fushën e tij të interesit. Rama solli si shembull një sipërmarrës të vogël, i cili mund të njoftohet në telefon kur hyn në fuqi një ligj, një vendim apo një urdhëresë që prek aktivitetin e tij.
Sistemi synon të përdoret edhe në situata emergjente. Rama tha se qytetarët në zona me rrezik zjarri apo përmbytjeje duhet të marrin informacion në kohë reale dhe jo të presin konferencën e radhës të një ministri apo institucioni.
Një prej elementeve kryesore të “Pasqyrës” do të jetë “Kartela Publike”. Ajo do të përmbajë të dhëna konkrete për çdo punë apo projekt, si çfarë po bëhet, në interes të kujt, cili institucion e ndjek, ku ndodhen dokumentet, cilat janë afatet dhe cili është statusi.
Rama kërkoi që edhe statuset e projekteve të mos mbeten në formulime të përgjithshme. Nëse një punë është me vonesë, kjo duhet të thuhet. Nëse është përfunduar, duhet të ketë provë. Nëse është pezulluar, duhet të publikohet arsyeja dhe nëse është anuluar, duhet të jetë i aksesueshëm vendimi.
“Një shtet që nuk mban mend se çfarë ka thënë dje nuk kërkon dot besim sot”, tha Rama.
Por kryeministri insistoi se “Pasqyra” nuk duhet të shërbejë vetëm për të treguar anën pozitive të punës së qeverisë. Përkundrazi, sipas tij, qytetari, gazetari apo opozita duhet të kenë mundësi ta përdorin atë edhe për të kontrolluar dhe kritikuar qeverinë.
“Nëse Pasqyra përdoret kundër qeverisë, Pasqyra funksionon”, deklaroi Rama, duke shtuar se nëse qeveria nuk duket mirë në këtë pasqyrë, ajo duhet të merret me veten dhe jo me pasqyrën.
Për Ramën, transparenca e vetme nuk mjafton. Ai e lidhi atë me përgjegjësinë dhe me konceptin “Besa”, të cilin e shpjegoi si akronim të katër fjalëve: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim.
Një tjetër pjesë e paketës është “Prania Besnike”. Rama tha se kjo nuk do të jetë një tjetër seri takimesh politike, por një mënyrë e organizuar për të dëgjuar qytetarët.
Sipas tij, çdo të premte në orën 17:00, përfaqësuesit do të jenë në një vend të përcaktuar, ku qytetarët do të mund të paraqesin shqetësimet e tyre. Takimet nuk do të zhvillohen si mbledhje apo mitingje, por ballë për ballë dhe me radhë. Përfaqësuesit do të duhet të dëgjojnë dhe të mbajnë shënim problemin, pa i thënë qytetarit se sa shumë ka bërë qeveria.
Rama tha gjithashtu se “Prania Besnike” nuk do të bëjë dallim politik. Nuk do të ketë rëndësi se cilën parti ka votuar qytetari apo nëse ka qenë kundër Partisë Socialiste.
Por mekanizmi, sipas tij, nuk duhet të kthehet në një rrugë alternative për të zgjidhur hallet përmes ndërhyrjeve politike. “Prania Besnike” duhet të disiplinojë institucionet dhe jo t’i kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve”, tha Rama.
Ai kërkoi që deputetët të mos telefonojnë më drejtorë për të zgjidhur çështje individuale, por t’ua përcjellin shqetësimet institucioneve përkatëse në mënyrë të dokumentuar.
Në këtë kuadër, Rama vendosi edhe një vijë që sipas tij duhet të jetë e panegociueshme. “Partia nuk duhet të bëjë shtetin, deputeti nuk duhet të ndërmjetësojë favore, kryetari i partisë nuk duhet të jetë sportel punësimi dhe militanti nuk duhet të jetë rruga për të marrë një të drejtë që ligji ia njeh qytetarit”, tha ai.
Sipas kryeministrit, suksesi i “Pranisë Besnike” do të matet pikërisht atëherë kur qytetarët të kenë gjithnjë e më pak nevojë për të, pasi institucionet do të kenë filluar të funksionojnë vetë.
Nëse i njëjti problem shfaqet në disa zona të vendit, ai nuk duhet të trajtohet si një seri ankesash individuale, por si një sinjal për një problem sistemik që kërkon një zgjidhje më të gjerë.
Ndërkohë, Rama bëri të ditur se versioni i parë i “Pasqyrës” pritet të shfaqet brenda disa javësh. Komponenti i parë do të jetë “Flamingo Mirror”, i cili do të fokusohet te çështja e Sazanit dhe Nartë-Pishë Porosit.
Sipas tij, në këtë hapësirë do të publikohen dokumentet, procesverbalet, statusi i negociatave dhe referencat ligjore që lidhen me çështjen, ndërsa më tej informacioni do të plotësohet me projektet, studimet dhe dokumentet mjedisore.
Rama e përshkroi “Pasqyrë Albania” si një ndryshim të mënyrës se si shteti duhet të jetë i dukshëm për qytetarin: jo përmes deklaratave dhe sloganeve, por përmes dokumenteve, afateve, përgjegjësive dhe provave.
Në thelb të gjithë kësaj, sipas tij, është një marrëdhënie e re mes qytetarit dhe shtetit, ku qytetari nuk duhet të presë të mësojë nga mediat se çfarë ka vendosur shteti, por të ketë mundësi ta shohë vetë, ta kontrollojë dhe ta pyesë shtetin për atë që po bëhet në emrin e tij.



