KreuDrejtësiaKush po e bllokon garën për Prokuror të Përgjithshëm?

Kush po e bllokon garën për Prokuror të Përgjithshëm?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm është bllokuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pikërisht në fazën kur KLP duhet të nisë shqyrtimin e kërkesave dhe vlerësimin që do të çojë te përzgjedhja e tre emrave për Kuvendin.

KLP e hapi zyrtarisht procedurën në korrik dhe më pas publikoi listën e kandidatëve dhe ngërçi ka lindur gjatë shqyrtimit të kërkesave për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit.

Kandidati Ylli Pjetërnikaj ka kërkuar përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Staka, duke pretenduar se ekziston konflikt interesi. Sipas argumentimit të Pjetërnikajt, kur Staka ka qenë drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, kishte nisur një hetim kryesisht ndaj tij për falsifikim të akteve procedurale.

Por në vend që kjo kërkesë të shqyrtohej dhe procedura të vijonte, në KLP nisën kërkesat zinxhir për përjashtime.

Në mbledhjen e 28 gushtit, vetë Vatë Staka kërkoi përjashtimin e anëtarit Zeqir Hodo nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt. Staka pretendoi se Hodo kishte pasur komunikime me Pjetërnikajn edhe pasi ky i fundit ishte larguar nga detyra e këshilltarit pranë KLP-së.

Më pas, situata u zgjerua. Sokol Stojani kërkoi që fillimisht të shqyrtohej kërkesa e Stakës për përjashtimin e Hodos. Hodo e konsideroi këtë qëndrim si arsye për përjashtimin e Stojanit. Në vijim, edhe Stojani kërkoi përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.

Pra, procesi është futur në një lloj rrethi procedural, pasi një kërkesë për përjashtim ka sjellë një tjetër, e më pas një tjetër.

Pasojat janë konkrete. KLP nuk ka mundur të krijojë kuorumin prej shtatë anëtarësh që nevojitet për shqyrtimin e këtyre çështjeve dhe, për këtë arsye, mbledhjet janë shtyrë. Në dy seancat e fundit të raportuara, më 28 gusht dhe 3 shtator, Këshilli nuk arriti të shqyrtojë kërkesën e Pjetërnikajt për përjashtimin e Stakës.

Kjo do të thotë se gara për kryeprokurorin është praktikisht e bllokuar para se KLP të arrijë te faza vendimtare e vlerësimit të kandidatëve.

KLP duhet të përzgjedhë tre kandidatë dhe t’ia dërgojë emrat Kuvendit. Më pas është Parlamenti ai që zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me shumicë të cilësuar prej tre të pestash të të gjithë deputetëve. Mandati është shtatë vjet dhe nuk rinovohet.

Dhe sa më gjatë të mbeten të pazgjidhura kërkesat për përjashtim, aq më shumë shtyhet edhe momenti kur Këshilli mund të kalojë te ajo që është në thelb të garës, te shqyrtimi, vlerësimi dhe renditja e kandidatëve që do t’i paraqiten Kuvendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat