Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka deklaruar se mbrojtja e mjedisit është një nga kriteret kyçe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke iu referuar edhe debatit për projektin e Zvernecit dhe ndryshimeve ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Në deklaratën e saj, Kos theksoi se Bashkimi Europian dhe autoritetet shqiptare kanë rënë dakord, edhe përpara protestave të fundit, që të shfuqizohen amendamentet e miratuara në vitin 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, si pjesë e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat për Kapitullin 27, i cili lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
“Për projektin në Zvernec, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të Bashkimit Europian dhe ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen. Edhe para protestave kemi rënë dakord që të shfuqizohen amendamentet për vitin 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike. Këto do të bëheshin për Kapitullin 27. Do të inkurajoja autoritetet sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh Kos.
Komisionerja europiane u ndal edhe te protestat qytetare, duke nënvizuar se ato janë një element thelbësor i demokracisë dhe se mënyra se si trajtohen nga institucionet është me rëndësi të veçantë.
“Protestat janë pjesë e demokracisë dhe mënyra se si vendet i trajtojnë ato është e rëndësishme. Inkurajoj që qeveria të trajtojë shqetësimet e qytetarëve”, deklaroi ajo.
Marta Kos theksoi se Kapitulli 27 mbetet një nga kapitujt më sfidues të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, pasi kërkon harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet dhe acquis communautaire të BE-së në fushën e mjedisit.
Sipas saj, përmbushja e këtyre detyrimeve është thelbësore për avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.



