Oliger Torba është emëruar zyrtarisht drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pas disa muajsh në drejtimin e strukturës si i komanduar. Emërimi vjen pasi ai kishte kaluar procesin e vettingut, ku u konfirmua në detyrë në maj të këtij viti.
Torba ishte komanduar në këtë post në maj, pas dorëheqjes së drejtorit të atëhershëm të Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Emërimi i tij vjen në një moment kur në dosjen e vettingut rezulton edhe një element i rëndësishëm për karrierën e tij: më 4 maj 2026, Trupa e Vlerësimit pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore vendosi ta konfirmojë në detyrë. Në atë kohë, Torba ishte subjekt i vlerësimit me funksion zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në DVP Tiranë.
Vettingu
Procesi i vlerësimit kalimtar ndaj Torbës u zhvillua mbi tre komponentë, vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Në përfundim të procesit, Trupa e Vlerësimit konstatoi se Torba kishte arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe nivel të mjaftueshëm në vlerësimin e aftësive profesionale.
Për pasurinë, sipas vendimit, ILDKPKI kishte arritur në përfundimin se deklarimi ishte i saktë dhe në përputhje me burimet e ligjshme financiare. Në raportin e saj nuk u konstatua mungesë e burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurive, fshehje pasurie, deklarim i rremë apo konflikt interesi.
Një nga pasuritë e shqyrtuara ishte një apartament banimi me sipërfaqe 92 metra katrorë, me vlerë 74,520 euro, në bashkëpronësi 50 për qind. Në vendim janë analizuar në mënyrë të detajuar burimet e përdorura për blerjen e tij, përfshirë të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër, shitja e automjetit, kredi bankare dhe hua familjare.
Kontrolli i figurës
Edhe në komponentin e figurës, vendimi është pozitiv për Torbën. Trupa e Vlerësimit arriti në përfundimin se ai nuk kishte kryer deklarim të rremë dhe se nuk kishte të dhëna të vërtetuara nga agjencitë ligjzbatuese që ta lidhnin me krimin e organizuar.
Po ashtu, sipas vendimit, nuk u gjetën informacione që të tregonin për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë ose të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar.
Në kuadër të kontrollit u verifikuan edhe të dhënat gjyqësore. Regjistri i Gjendjes Gjyqësore rezultoi pa shënime dhe pa vendim gjyqësor të formës së prerë ndaj tij.
Vendimi përmend gjithashtu një ekspertizë toksikologjike, sipas së cilës Torba, në momentin e kryerjes së saj, nuk rezultonte përdorues i lëndëve narkotike.
19 vite e gjysmë në Policinë e Shtetit
Të dhënat e dosjes tregojnë se Oliger Torba ka një karrierë prej 19 vitesh e 6 muajsh në Policinë e Shtetit. Në pesëvjeçarin e marrë në shqyrtim nga vettingu, ai ka mbajtur disa funksione drejtuese në Tiranë dhe Fier.
Nga tetori 2021 deri në nëntor 2024 ka qenë shef i Komisariatit nr. 5 në Tiranë, ndërsa nga nëntori 2024 ka kaluar në detyrën e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve në DVP Fier. Më herët kishte shërbyer edhe si shef komisariati dhe në detyra drejtuese të strukturave të hetimit në Tiranë.
Në dosje evidentohet se funksionet dhe gradat e përfituara gjatë karrierës së tij rezultojnë në përputhje me legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi.
Vlerësim pozitiv profesional
Edhe raporti i vlerësimit profesional i përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ishte pozitiv. Sipas këtij raporti, Torba ishte i përshtatshëm për pozicionin, kishte arsimin dhe trajnimet përkatëse, kishte treguar cilësi të larta në punë dhe aftësi shumë të mira profesionale e menaxheriale.
Në pesëvjeçarin e marrë në shqyrtim, nga verifikimi i dosjes personale dhe sistemit TIMS, nuk rezulton që ai të jetë ndëshkuar me masë disiplinore. Trupa e Vlerësimit konkludoi gjithashtu se Torba kishte përmbushur detyrat profesionale, kishte respektuar rregullat e etikës dhe kishte shfaqur performancë të lartë funksionale.
Në aspektin arsimor, në dosje rezultojnë një diplomë si Specialist i Lartë Policie në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”, një diplomë në Drejtësi nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe një Master Profesional në Business Law nga Universiteti i Tiranës.



