back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 3 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialePlazhe publike, licensim strukturash dhe menaxhim dixhital/ Prioritetet e turizmit për 2026

Plazhe publike, licensim strukturash dhe menaxhim dixhital/ Prioritetet e turizmit për 2026

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka prezantuar këtë të martë prioritetet kryesore për sektorin e turizmit dhe kulturës për vitin 2026, duke theksuar rëndësinë e promovimit të Shqipërisë, mirëmbajtjes së pasurive publike dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Gjatë një konference për mediat, Gonxhja theksoi se një nga objektivat kryesorë është rritja e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, si dhe menaxhimi efikas i burimeve dhe fondeve për të maksimizuar shërbimet dhe vlerat kulturore dhe turistike të vendit.

“Prioritetet për 2026 përfshijnë rritjen e mikpritjes, promovimin e vendit, mirëmbajtjen e pasurive publike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe kalendarin artistik. Synojmë ekonomizimin e burimeve, menaxhimin e fondeve dhe maksimizimin e shërbimeve, madje përtej tavaneve të buxhetit, sepse Shqipëria duhet të shpikë fonde shtesë për të maksimizuar vlerat e saj në funksion të kulturës dhe turizmit,” deklaroi ministri.

Gonxhja prezantoi edhe statistikat e turizmit për vitin 2025, ku Shqipëria priti 12.47 milionë vizitorë, një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ai theksoi se qeveria ka nisur tashmë punën për dixhitalizimin e shërbimeve administrative, si dhe përmirësimin e kushteve në plazhet publike dhe stacionet e plazhit.

Ministri gjithashtu foli për licencimin e strukturave akomoduese, për të rritur standardet, certifikimin dhe transparencën në sektor, duke luftuar evazionin dhe monitoruar flukset e turistëve. Një fokus i veçantë do të jetë edhe menaxhimi publik i plazheve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si një kategori e re krahasuar me plazhet private.

“Do të reduktojmë beach bar-et, do të ulim ndotjen akustike dhe do të promovojmë sportet dhe lojërat që lidhen me plazhin dhe sezonin e verës. Strukturat akomoduese duhet të licencohen dhe të monitorohen për të siguruar shërbime cilësore për turistët,” tha Gonxhja.

Sipas ministrit, këto masa synojnë jo vetëm rritjen e cilësisë së turizmit, por edhe përmirësimin e perceptimit ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion i sigurt, modern dhe mikpritës, duke i dhënë prioritet mbrojtjes së trashëgimisë dhe kulturës kombëtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat