Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Policia e Shtetit ka nxjerrë një shkresë urgjente drejtuar komisariateve në Tiranë dhe strukturave në Krujë, ku kërkon zbatimin e masave ligjore për mbrojtjen e të drejtave të të miturve, në kuadër të protestave të fundit të studentëve.
Në dokumentin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, drejtuar komisariateve nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7, theksohet nevoja për respektimin e detyrimeve që parashikohen në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe në aktet e tjera ligjore në fuqi.
Një ndër pikat e përcaktuara në shkresë lidhet me identifikimin e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Kërkohet që çdo efektiv të jetë lehtësisht i identifikueshëm përmes numrit përkatës, ndërsa edhe automjetet policore duhet të identifikohen gjatë operacioneve.
Dokumenti ndalet edhe te mënyra e trajtimit të të miturve të shoqëruar në polici. Strukturave u kërkohet të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse për menaxhimin e këtyre rasteve, duke shmangur mbajtjen e të miturve për periudha të panevojshme dhe duke respektuar afatet e përcaktuara nga ligji.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kontrolli i telefonave celularë. Sipas shkresës, policia nuk duhet të kontrollojë telefonat pa urdhër gjyqësor, ndërsa çdo kërkesë për përgjime duhet të mbështetet në bazën ligjore përkatëse.
Për çdo të mitur të shoqëruar kërkohet gjithashtu të garantohet prania e prindit ose kujdestarit ligjor dhe e psikologut, si dhe plotësimi i formularit për të drejtat e të miturit përpara se të nisë marrja në pyetje. Për këto raste duhet të mbahet edhe një regjistër i veçantë.
Shkresa përfshin edhe udhëzime për përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës, duke kërkuar që punonjësit e policisë të njihen me aktet ligjore që rregullojnë ndërhyrjet e tilla. Po ashtu, kërkohet plotësimi i plotë i të dhënave në regjistrat e personave të shoqëruar.
Në përfundim, drejtuesit e Policisë së Tiranës u kërkojnë strukturave vartëse të marrin masat e nevojshme për zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore, me theks të veçantë te garantimi i të drejtave të të miturve gjatë veprimeve policore.



